Rama: Negociatat me BE-në, brenda dhjetorit
Pesë ditë pas rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, kryeministri, Edi Rama, duket shumë optimist për një vendim për çeljen e këtyre negociatave brenda dhjetorit.

Pesë ditë pas rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, kryeministri, Edi Rama, duket shumë optimist për një vendim për çeljen e këtyre negociatave brenda dhjetorit.
Në takimin e ministrave të Jashtëm, “Miqtë e Shqipërisë”, organizuar nga ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni, dhe ai austriak, Sebastian Kurz, diskutuan mbi reformat e realizua nga Shqipëria. Gentiloni u shpreh se shpreson shumë që në muajin dhjetor Shqipërisë t’i çelen negociatat sipas rekomandimit të KE.
“Jemi shumë të kënaqur për nismën e promovuar nga Austria dhe Italia, miq të Shqipërisë. Qëllimi është që në dhjetor të kemi një vendim të Këshillit të Europian për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mendoj se në Shqipëri janë bërë shumë reforma dhe shumë progrese. Progresi i reformave në Shqipëri është konkluzioni i përbashkët në tryezën "Miqtë e Shqipërisë". Ky është një lajm i mirë për procesin”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Italisë, Paolo Gentiloni.
Të njëjtën gjë shprehu edhe ministri Kurz, i cili pohoi se Shqipëria ka bërë shumë reforma këto vite.
“I jemi mirënjohës kryeministrit dhe Qeverisë shqiptare për të gjitha reformat e bëra në Shqipëri. I jemi mirënjohës Shqipërisë për rolin pozitiv dhe konstruktiv që po luan në rajon. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe për të gjithë ne”,- theksoi ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.
Kryeministri Rama shprehu falënderime për këtë takim dedikuar Shqipërisë, ndërsa përsëriti edhe njëherë se vendimi i datës 9 nëntor u dha pikërisht për shkak të progresit të Shqipërisë. (Luljeta Ndoka, TVM2)
