Moskë, arrestohet ministri i Ekonomisë, mori ryshfet
Ministri i Ekonomisë në Rusi, Aleksei Ulukajev, është arrestuar pasi akuzohet se ka marrë ryshfet në lartësinë prej 2 milionë dollarëve..

Ministri i Ekonomisë në Rusi, Aleksei Ulukajev, është arrestuar pasi akuzohet se ka marrë ryshfet në lartësinë prej 2 milionë dollarëve në këmbim të mbështetjes së dikasterit të tij për një kompani të rëndësishme nafte.
Ministria, e drejtuar nga Ulukajev, kishte dhënë vlerësim pozitiv që çoi gjigantin e naftës “Rosneft” në blerjen e 50% të aksioneve në një kompani tjetër të naftës, “Bashneft”.
Ai është zyrtari më i lartë rus që arrestohet që nga grushti i shtetit i vitit 1991 në kohën e Bashkimit Sovjetik.
Ulukajev u kap në flagrancë ndërsa merrte ryshfetin, njoftuan autoritetet. Komiteti i hetimit tha se ministri shumë shpejt do të marrë dënimin e tij.
Ai mund të përballet me dënim me burg mes 8-15 vitesh, nëse shpallet fajtor.
