Botë

Obama mbërrin në Greqi, vizita zhvillohet nën masa të larta sigurie

15.11.2016 14:26

Barack Obama mbërriti në Athinë, në ndalesën e parë të një turneu shtatëditor, i fundit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës...

Në Athinën e blinduar, nën masa të rrepta sigurie, presidenti siguroi autoritetet greke dhe europiane se linja strategjike amerikane në politikën e jashtme nuk ndryshon me ardhjen e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
 
Rreth 5000 policë grekë dhe 500 agjentë amerikanë sigurie po sigurojnë jetën e presidentit. Kontrollet e rrepta fillojnë në aeroportin e Athinës, çdo rruge në të cilën kalon presidenti është bllokuar  të paktën 30 minuta përpara.
 
Kontrolle të rrepta janë marrë edhe në zonën e hotelit ku Obama po qëndron dhe e gjithë zona detare në gjirin e Glifadhës, ku ndodhet hoteli luksoz, është mbyllur për 30 orët e ardhshme.
 
Edhe stacionet e metrosë të ndodhura pranë zonave që do të kalojë presidenti janë mbyllur deri në largimin e tij. Janë ndaluar grumbullimet dhe protestat që prej orës 06:00 të mëngjesit të së martës e deri në orën 16:00 të së mërkurës, kur  presidenti Obama do të largohet nga vendi. Por, duket se sindikatat greke nuk kanë qenë dakord me këtë vendim të autoriteteve dhe kanë paralajmëruar protesta.
 
Sindikatat e quajnë provokim mbërritjen e Obamës më pak se 48 orë nga mbajtja e protestave me rastin e përkujtimit të masakrës se politeknikumit të Athinës, ku siç dihet qeveria amerikane luajti rol aktiv në mbështetje të juntës ushtarake greke në vitet 1970-1978.
 
GAZMEND REXHEPI