Maqedoni
“Manastiri feston”, një javë aktivitete për Kongresin e Alfabetit
15.11.2016 15:42
Kanë filluar aktivitetet në kuadër të festimeve të sivjetme për Ditën e Alfabetit...

“Manastiri feston” është motoja e festimeve të këtij 108 vjetori të Kongresit të Manastirit.
Tashmë aktivitetet kanë filluar me koncertin e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Kongresi i Manastirit” dhe do të përmbyllen më 22 nëntor me hapjen e Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit në Muzeun e Alfabetit dhe koncertin gala që do të mbahet në Qendrën Kulturore në Manastir.
“Kulminacioni i manifestimit do të arrihet të hënën më 22 nëntor. Atë ditë në orën 16:30 do të bëhet hapja solemne e Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit dhe figurave prej silikoni të anëtarëve të Komisionit të Kongresit të Manastirit. Ndërsa në orën 19:00 do të mbahet koncerti gala në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës në Manastir”,- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
Koncerti i Orkestrës së Filarmonisë e Universitetit të Arteve të Shqipërisë, “Ibrahim Madhi”, vjen nën drejtimin e dirigjentit, Olsi Qinanit, dhe do të sjellë në Manastir violinistin e mirënjohur, Shkëlzen Doli, bashkë me aktorin, Çun Lajçi.
Manifestimi “Manstiri Feston” përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës, e cila vetëm për Dhomën Përkujtimore ka ndarë 7.900 milionë denarë, thotë Shehabi.
GYLTENE SINANI
