“Për zgjedhje korrekte-denonco presionin”, Kiracovski: Filluam denoncimet konkrete në MPB
Zëvendësministri plotësues në Ministrinë e Administratës, Aleksandar Kiracovski...

Zëvendësministri plotësues në Ministrinë e Administratës, Aleksandar Kiracovski, publikoi rezultatet e deritanishme nga aksioni “Për zgjedhje korrekte-denonco presionin”.
Sipas Kiracovskit, në ueb faqen e hapur për këtë qëllim kanë arritur denoncime nga të punësuarit në administratë me informacione serioze për ndikim dhe presion politik.
“Tashmë filluam që të parashtrojmë denoncime konkrete në Ministrinë e Brendshme dhe Inspektoratin e Punës dhe Administratës. Do të ketë edhe denoncime penale. Askush nuk ka të drejtë që ta prishë qetësinë e të punësuarve në administratë dhe të drejtën e tyre profesionale që t’i kryesojnë obligimet e punës në interes të qytetarëve”,- theksoi Kiracovski.
Sipas tij, janë realizuar takime me persona përgjegjës në disa institucione që t’i tregohen obligimet e tyre në drejtim të mundësimit të kushteve për punë profesionale të administratës, por disa nuk kanë kthyer përgjigje për kërkesë të takimeve.
