15 gjykatës kundër Pançevskit, Zvërlevski:Prokuroria Publike nuk mbron askënd

15.11.2016 18:25

15 gjykatës nga Gjykata Themelore Shkupi 1 akuzojnë kryetarin e Gjykatës Penale Shkupi 1, Vladimir Pançevskin....

15 gjykatës nga Gjykata Themelore Shkupi 1 akuzojnë kryetarin e Gjykatës Penale Shkupi 1, Vladimir Pançevskin, se po keqpërdor Gjykatën Penale dhe po  shkatërron reputacionin e saj.

Përmes një letre dërguar Këshillit Gjyqësor, ata kërkojnë marrjen e masave  kundër Pançevskit. Reagimi i tillë nga ana e gjykatësve vjen pasi që Pançevski në ueb faqen zyrtare të Gjykatës Themelore ka publikuar se ka ngritur kundërakuza ndaj kolegut të tij, Ivan Xholev.

“Jemi të befasuar nga njoftimi i fundit i publikuar më 10 nëntor në ueb faqen zyrtare të Gjykatës Themelore Shkupi 1, ku në pjesën e lajmërimeve për publikun, gjykatësi, Vlladimir Pançevski, si kryetar i Gjykatës, informon për veprimet e tij personale dhe qëndrimeve për gjykatës të caktuar, duke mos e respektuar integritetin e tij si gjykatës”,- thuhet në letrën e 15 gjykatësve.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski, pranon se ka marrë njoftimin dhe thotë se kërkesa do të merret parasysh edhe pse 15 gjykatësit kanë vendosur të mos i shënojnë emrat e tyre në kërkesë.

“Kemi marrë një kërkesë anonime me 15 nënshkrime pa emra e mbiemra. Por, edhe përskaj anonimitetit të nënshkruesve, ne do të marrin në konsideratë edhe  akuzat penale të dorëzuara nga Pançevski dhe Xholev, edhe akuzat kundër njëri-tjetrit, që janë në Këshillin për vërtetimin e fakteve”,- deklaroi Karaxhovski.

Rreth rastit në fjalë është prononcuar edhe kryeprokurori publik, Marko Zvërlevski. Ai është pyetur nga gazetarët se përse Prokuroria po mbron kryetarin e Gjykatës Penale.

“Nuk mbroj askënd. Mësoni pak kulturë! Kjo që bëni ju nuk është gazetari. Nuk mbroj askënd, kallëzimet penale të dorëzuara nga të gjithë qytetarët trajtohen në mënyrë profesionale dhe të ndërgjegjshme nga prokurorët”,- theksoi prokurori i përgjithëm shtetëror, Marko Zvërlevski.

Zvërlevski dhe kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, u ulën në të njëjtën tryezë sot përballë studentëve të Fakultetit Juridik në Shkup. (Ersan Pajaziti, TVM2)