PD dhe UGJSh kanë dorëzuar në kushtetuese kundërshtimet për Ligjin e vetingut

15.11.2016 19:24

Pas Partisë Demokratike, edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese...

Pas Partisë Demokratike, edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kundërshtimet e tij për Ligjin e rivlerësimit të figurave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur ndryshe si vetingu.

Gjyqtarët thonë në kërkesën e tyre se nuk janë kundër procesit për rivlerësimin e tyre, por kurrsesi nuk mund të lejojnë që pushtetet e tjera të nëpërkëmbin dinjitetin e pushtetit gjyqësor.

Ata vijojnë se ligji i vetingut, në një pjesë të konsiderueshme të dispozitave të tij, jo vetëm ka anashkaluar piketat orientuese të sugjeruara nga Komisioni i Venecias, por bie dukshëm ndesh me dispozitat kushtetuese dhe disa parime e të drejta që garanton Kushtetuta.

Gjyqtarët thonë se ka paqartësi në lidhje me rolin e organeve të reja të cilat do te bëjnë kontrollin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale gjyqtare.  Rivlerësimin për pjesën e kontrollit të pasurisë, sipas gjyqtarëve, nuk e kryen Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ILDKPKI.

Sipas  tyre, një parashikim i tillë cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor, duke e lënë procesin e vlerësimit të pasurisë de facto dhe de jure, nën kontrollin e një organi jokushtetues dhe jo të ndërtuar për këtë qëllim, si ILDKPKI.

Ndërsa trajtimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës nga këto dispozita, siç pretendon Unioni, është në një nivel më të ulët se garancitë dhe mbrojtja që ligji u garanton personave që kanë kryer vepra të rënda penale. (Luljeta Ndoka, TVM2)