“Monstra”, Seancë me dyer të mbyllura
Të dhënat e fituara nga shërbimet e Interpol-it, tregojnë që vetura në fjalë ka prejardhje nga Zvicra dhe më pas ka përfunduar në Kosovë, por asnjëherë në Maqedoni…..

Shërbimet e Interpol-it kanë konstatuar se vetura Opel Omega e dyshuar në rastin “Monstra”, asnjëherë nuk ka të regjistruar hyrje në Maqedoni, njofton avokati mbrojtës, Naser Raufi. Të dhënat e fituara nga shërbimet e Interpol-it, tregojnë që vetura në fjalë ka prejardhje nga Zvicra dhe më pas ka përfunduar në Kosovë, por asnjëherë në Maqedoni.
Këto të dhëna sipas Raufit ngjallin dyshimin që vetura edhe realisht mos të jetë në vend dhe fotografitë nga e njëjta të jenë realizuar në Kosovë dhe jo në Vrazhi Vir. Ky dyshim sipas tij, vjen duke pasur parasysh faktin që palës mbrojtëse në asnjë mënyrë nuk i është lejuar të ketë qasje deri te vetura, si dëshmi materiale.
Ndryshe procesi gjyqësor për këtë rast gjatë ditës së sotme ka vazhduar me dyer të mbyllura për opinionin, me arsyetimin se bëhet fjalë për dëshmi nën masa të veçanta të sigurisë dhe me karakter privat.
Sipas avokatit mbrojtës, Naser Raufi, në seancën e sotme janë dëgjuar transkriptat telefonike të të akuzuarit të fundit, Sami Luta, që sipas tij, aspak nuk kanë të bëjnë me rastin në fjalë. Raufi njëherit tha se i tërë procesi gjyqësor është i pakuptimtë dhe se deri më tani nuk është biseduar dhe nuk janë shpalosur dëshmi konkrete që do të ngarkonin të akuzuarit. Deri më tani për këtë proces janë dëgjuar rreth 40 dëshmitarë, numri më i madh i të cilëve janë propozuar nga mbrojtja, më pas Prokuroria dhe trupi gjykues.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më datën 30 prill. (Florije Kamberi, TVM2)
