Botë
Obama në Athinë, shtatë mijë njerëz në protesta, ndërhyn policia
16.11.2016 13:02
Forcat policore dhe protestuesit grekë u përleshën në qendër të Athinës, pasi që protesta kundër vizitës së kreut të Shtëpisë së Bardhë në vend u shndërruan në protestë të dhunshme...

Rreth 7.000 persona, në mesin e të cilëve grupe kundër luftës, anti-raciste, protestues të maskuar dhe pjesëtarë të grupit PAME të lidhur me komunistët marshuan përmes rrugëve në kryeqendrën greke, duke shprehur revoltën e tyre për politikën e jashtme të ShBA-ve në lidhje me qëndrimet e tyre mbi luftën në Siri, marrëdhëniet me Turqinë si dhe përzgjedhjen e Donald Trump për president dhe politikën e tij për emigrantët.
Ata mbanin pankarta me mbishkrime “Trump ndërto një mur rreth fytyrës tënde” dhe “sundimi i bardhë është terrorizëm”.
"Ne e konsiderojmë politikën amerikane si vrasëse për njerëzit. Ata janë përgjegjës për pranverën arabe, për luftërat gjatë viteve, si dhe intervenimin në Siri. Ata vetëm kujdesen për naftën dhe jo për njerëzit”,- deklaroi protestuesi, Vaso Vlachou.
"Politika e vendosur në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme ka ndikuar seriozisht tek ne. Për shkak të luftës në Siri, ku ShBA-të janë drejt të përfshira në të, ne jemi duke vuajtur nga fluksi i madh i migrantëve”,- theksoi protestuesi, Yannis Tolis.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe u përplas me anarkistët teksa këta të fundit u përpoqën të thyenin kordonin e sigurisë për të mbërritur në ndërtesat e Parlamentit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Disa nga protestuesit hodhën bombola gazi drejt policisë para se të shpërndahen në rrugët kryesore në qendër të Athinës. Vizita e Obamës vjen vetëm dy ditë para përvjetorit të përgjakshëm të vitit 1973 të revoltës studentore, që ndihmoi rrëzimin e juntës ushtarake, e cila ishte mbështetur nga qeveria e ShBA-së. Greqia ka një traditë të hershme të protestave antiamerikane pikërisht për këtë arsye.
Presidenti Obama e nisi udhëtimin e tij të fundit në Europë, në Athinë, ku të martën u takua me udhëheqësit helenë, ndërsa sot vizitoi Akropolin.
LEUNORA KALIQI
