Botë

Sulm vetëvrasës në Afganistan, gjashtë persona të vrarë, ISIS merr përgjegjësinë

16.11.2016 13:28

Nga sulmi vetëvrasës kundër një makine me pjesëtarët e forcave të sigurisë në kryeqytetin Kabul, janë vrarë gjashtë persona dhe plagosur së paku 10 të tjerë...

Përgjegjësinë për këtë sulm, që ka ndodhur sot afër Ministrisë së Mbrojtjes së Afganistanit, e ka marrë një grup i ndërlidhur me ekstremistët e “Shtetit Islamik”.
 
"Një shpërthim i fuqishëm ndodhi këtu, ne nuk dinim se çfarë ndodhi më saktësisht, por zhurma ishte shumë e fuqishme. Menjëherë pas shpërthimit erdhën ambulancat në vendin e ngjarjes dhe policia e bllokoi vendin”,- tha banori, Jahanzeb Khan.
 
"Aty kishte trupa të vdekur dhe të plagosur. Ne i ndihmuam dhe evakuuam viktimat në spitalet aty pranë. Më pas arritën edhe ambulancat si dhe forcat e sigurisë”,- theksoi dëshmitari, Shreen Agha Ahmadzai.
 
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Sediq Sediqi, tha se ndër të vrarët dhe të plagosurit ka pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe civilë.
 
Zyrtarët thanë se automobili i takonte Agjencisë së spiunimit të Afganistanit, që është e njohur me emrin Drejtorati Kombëtar i Sigurisë.
 
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, e ka dënuar këtë sulm, duke thënë se “terroristët nuk mund t’i arrijnë qëllimet kryesore duke përhapur frikë”.
 
LEUNORA KALIQI