Maqedoni
Personat me sindromën Down kërkojnë më shumë kujdes
28.04.2014 18:00
Personat me sindromën Down vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira dhe ende nuk i gëzojnë të drejtat e tyre...

Personat me sindromën Down vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira dhe ende nuk i gëzojnë të drejtat e tyre si gjithë qytetarët e vendit, thonë përfaqësuesit e OJQ-ve.
Këtyre personave nuk iu ofrohen shërbime adekuate në shëndetësi, andaj OJQ-të duhet të bëjnë çmos që të kenë qasje të barabartë sa u përket shërbimeve shëndetësore.
“Kemi probleme të shumta dhe mungesë të shërbimeve të caktuara, siç janë: pajisjet dhe ilaçet. Këta persona përballen edhe me burokraci në sistemin shëndetësor, andaj ne kërkojmë që urgjentisht të përmirësohen shërbimet shëndetësore për këto persona”, deklaroi nga OJQ-ja “Trisomnia”, Bosica Koleva.
“Qasja deri te informatat shëndetësore paraqet segmentin që mungon, po ashtu duhet të ketë materiale, doracake, ku familjarët e këtyre personave do të informohen për gjendjen e tyre dhe të drejtat ligjore”, u shpreh nga OJQ-ja “Hera”, Marija Manevska.
Sindroma Down është një nga anomalitë e shpeshta gjenetike që hasen në lindje, e cila përfshin 1 në 800 persona, ndërkohë që sipas OJQ-ve fëmijët me sindromën Down janë një nga kategoritë më të margjinalizuara të shoqërisë sonë.
FLUTURA LATIFI
