OKB diskuton raportin tremujor për Kosovën, tensionet politike të fokusuara në demarkacion
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutohet për raportin tremujor...

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutohet për raportin tremujor të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, për zhvillimet në Kosovë.
Gjatë periudhës raportuese, prej 16 korrikut e deri më 25 tetor të këtij viti, “tensionet politike ishin të përqendruara rreth mospajtimit për propozim-ligjin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe miratimin e legjislacionit të ri për kompleksin e minierave dhe atë industriale, “Trepça””,- thuhet në raport, duke shpjeguar se çështja e “Trepçës” “ka krijuar tension publik shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, derisa implementimi i marrëveshjeve të arritura brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian ka vazhduar me një ritëm të ngadalshëm”.
Më tutje, në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, të publikuar në internet, përshkruhen protestat kundër marrëveshjes për demarkacion dhe arrestimet e disa pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në raport përshkruhet edhe rasti i datës 30 gusht, kur ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri, e shoqëruar nga kryetari i komunës Mitrovica Jugore, e kishte inspektuar punën ndërtimore në urën kryesore në Mitrovicë, e pastaj kishin kaluar në pjesën veriore, ku ministrja e kishte vizituar një kafene.
Atë natë, kjo kafene ishte përfshirë nga zjarri nga persona të panjohur, me ç’rast ka pasur dëme të rëndësishme materiale.
Si shtesë e këtij raporti është bashkangjitur edhe ai i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, për aktivitetet e misionit për sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX.
