Maqedoni

“Vargje për Nënën”, 87 poetë për Shën Terezën

16.11.2016 15:21

Lidhja e krijuesve shqiptarë të mërgatës promovoi edhe në Shkup antologjinë “Vargje për Nënën”...

87 poetë nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga ata të mërgatës janë përfshirë në Antologjinë që i dedikohet shenjtërimit të  shkupjanes, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu-Nënë Terezës.
 
Libri fillon me thënien e Nënës Terëzë: “Jo secili prej nesh mund të bëjë gjëra të mëdha, por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla, me dashuri të madhe”.
 
“Kjo Nënë e tërë botës një jetë ia kushtoi bamirësisë, humanizmit, dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj njeriut. Për këtë krijesë humane kanë shkruar 87 poetë të kësaj antologjie... 87 vite të jetës së Gonxhes përkojnë me simbolikën e 87 poetëve të prezantuar me nga një poezi kushtuar Nënës Gonxhe”,- theksoi shkrimtarja, Puntorie Muça Ziba.
 
“Nëna e bamirësisë nuk njihte kufij vendesh e gjuhësh për të shërbyer, sepse sëmundja dhe varfëria nuk njohin limite të tilla, zgjodhi Kalkutën meqë atje gjeti përvujtërinë e pafund të botës njerëzore”,- theksoi recensentja e librit, Zejenepe Alil-Rexhepi.
 
“Mërgata shqiptare identifikohet me figura tona dhe mburret me ato figura, ndërkaq Nënë Tereza mbetet akoma ikona e urtisë të globit tonë. Mbase të mishërohesh sot me segmentin më të ndjeshëm të shoqërisë njerëzore, siç është varfëria, sëmundja, dhembja dhe gjitha peripecitë që sfidon  jeta, vërtetë është diçka e shenjtë, e tillë ishte Nëna jonë”,- tha kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve të mërgatës, Hasan Qyqalla.
 
Në promovim morën pjesë edhe poetët: Nehas Sopaj, Adem Xheladini, Xhevdet Ukalli, Sadije Aliti dhe Arlida Baftiu. Antologjia u përgatit nga   poetët: Hasan Qyqalla dhe Franka Tanushi.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI