Maqedoni

Të hënën nis fushata zgjedhore, KShZ hedh shortin për radhitjen e partive në fletëvotime, reklama politike me pagesë prej të hënën

16.11.2016 15:42

KShZ hedh shortin për radhitjen e subjekteve garuese në fletëvotim...

KShZ hedh shortin për radhitjen e subjekteve garuese në fletëvotim, numër me të cilin partitë politike dhe koalicionet do të paraqiten në fushatë dhe do të ftojnë votuesit për t’i votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
 
Po sot mbaron afati kur KShZ duhet t’u dorëzojë partive politike Listën zgjedhore, të cilët në afat prej pesë ditë nga dita e pranimit të listës zgjedhore mund të parashtrojnë në KShZ kërkesë për regjistrim, plotësim ose shlyerje të të dhënave. 
 
Konform kalendarit të afateve për zgjedhjet parlamentare edhe organet për zbatimin e sanksioneve sot kanë pasur afatin e fundit që të dorëzojnë në KShZ të dhënat për personat që gjenden në paraburgim ose në vuajtje të dënimit me burg.
 
Trupi më i lartë për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve njofton se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 11 dhjetorit fillon më 21 nëntor, ditën e hënë. KShZ rikujton se radiopërhapësit dhe mediat e shtypura nuk guxojnë të emitojnë,përkatësisht publikojnë reklama politike me pagesë që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve e deri në ditën e fillimit të fushatës.
 
Në të njëjtën periudhë ndalohet edhe emitimi apo publikimi i reklamave të financuara nga buxheti i shtetit apo nga ai i komunave. Mediat që do shkelin ndalesën do të gjobiten konform Kodit zgjedhor.
 
SHPËTIM NUREDINI