Maqedoni

Listat e deputetëve, BDI dhe PDSh përplasen për kandidatët e propozuar

16.11.2016 16:11

BDI dhe PDSh u përplasën për listat zgjedhore me të cilat garojnë në zgjedhjet e 11 dhjetorit....

Në emisionin ‘”Argument” në TVM2, Valdet Xhaferi nga BDI thotë se në listat kanë përzgjedhur njerëz profesionistë të lëmive të ndryshme. Kjo u kundërshtua nga Luan Tresi i PDSh-së, i cili akuzoi partinë në pushtet se në këto zgjedhje po ofrojnë emra të vjetër që janë nën hetime.
 
“Kandidatët e BDI-së kanë potencë dhe performancë të jashtëzakonshme për të paraqitur pikërisht platformën e BDI-së edhe në ekzekutiv, por edhe në legjislativ. Brenda këtyre kandidaturave ka personalitete të cilat nuk janë aktiv brenda jetës politike, por ata janë cilësuar si profesionalisht të ngritur dhe janë pjesë e listave”,- theksoi Valdet Xhaferi nga BDI.
 
“Ne kemi zgjedhur njerëz me të vërtetë cilësorë, që do të mund të bartin mbi vete përgjegjësinë për ta drejtuar shtetin në të ardhmen drejt një perspektive dhe një sundimi të ligjit. Mirëpo në anën tjetër, sa i përket BDI-së, mund të shihni një situatë kur krerët e partisë kanë qenë të inkriminuar në krim dhe në afera të ndryshme korruptive”,- theksoi Luan Tresi nga PDSh.
 
Por kjo u hodh poshtë nga përfaqësuesi i BDI-së, sipas të cilit nuk mund të akuzohen njerëz për të cilët drejtësia nuk ka treguar se nuk janë fajtorë. 
 
Megjithatë, profesori universitar, Isak Sherifi, thotë se asnjëra nga dy partitë nuk ofroi lista qytetare. 
 
Edhe gazetari, Besim Iljazi, tha se në krye të listave janë persona të besueshëm të partisë e jo profesionistët për të rritur nivelin e debatit në përbërjen e re parlamentare.
 
“Koha dëshmoi se më shumë flitet për lista partiake, për njerëz të dëgjueshëm partiak se sa për lista të tjera në nivel të subjekteve politike. Është fatkeqësi kjo, në vend se listat të kombinohen edhe nga njerëz që nuk janë marrë me politikë, të paktën kanë qenë në rrjedha të ngjarjeve dhe zhvillimeve politike. Kjo është një hendikep të paktën tek partitë politike shqiptare, nuk bëj dallim, qoftë BDI qoftë PDSh”,- theksoi profesori universitar, Isak Sherifi.
 
“Partitë përsëri i kanë zgjedhur personat e besueshëm në listat zgjedhore. Ajo që dua unë është që të më përfaqësojë një deputet profesional, një ekonomist i cili do të dijë të dalë e të flasë për politikat makroekonomike të shtetit, një jurist i cili do të dijë të më flasë për ndryshimet ligjore që bëhen, sepse fatkeqësisht besoj se opinion e di këtë dhe e ka vërejtur deri më tani se tek të dyja subjektet politike mungojnë profilet profesionale, ose i kemi dy-tre persona të cilët janë të zëshëm në njërën parti politike ose në tjetrën”,- u shpreh gazetari, Besim Iljazi.
 
Në këtë garë do të garojnë 11 subjekte politike, në mesin e tyre edhe pesë koalicione. Bashkëbiseduesit konsideruan se një numër i madh i garuesve, sidomos në kampin shqiptar, vetëm se do të përçajnë votën.
 
Ndërkohë që  përpjekjet e LSDM-së për të thithur votën shqiptare, sipas tyre, është e pamundur, pasi që Zaev nuk ka platformë të qartë për realizmin e interesave shqiptare.
 
MERAL ISMAILI