Maqedoni

Korrupsioni politik, TI: Nuk dihet si financohen fushatat zgjedhore

16.11.2016 16:43

Është zvogëluar numri i qytetarëve të cilët janë të gatshëm të bëjnë diçka kundër korrupsionit...

Është zvogëluar numri i qytetarëve të cilët janë të gatshëm të bëjnë diçka kundër korrupsionit dhe është rritur numri i qytetarëve të cilët mendojnë se nuk mund të bëjnë asgjë kundër korrupsionit.
 
Kështu tregon rezultati i një hulumtimi të bërë nga “Tansparency International”. Vendin e parë për korrupsion vazhdon ta mbajë shëndetësia e ndjekur nga policët rrugorë.
 
Slagjana Taseva nga TI thotë se në prag të zgjedhjeve bëhet më evident i ashtuquajturi korrupsion politik.
 
Njerëz të caktuar që duan të kenë ndikim në mënyrën se si qeveria udhëheq politikat e saj, janë financuesit kryesorë të fushatave politike, por nuk ka një sistem transparent për kontrollin e financimit të fushatave zgjedhore dhe partitë asnjëherë nuk i publikojnë emrat e donatorëve.
 
“Është bërë si praktikë këtu tek ne që financimi i fushatës të sigurohet nëpërmjet individëve apo kompanive të cilat pas zgjedhjeve dëshirojnë të kenë ndikim në mënyrën e udhëheqjes së politikave. Personat më me ndikim para kohës investojnë në fushatën zgjedhore  që pas zgjedhjeve të jenë të sigurt që fjala e tyre do të ketë ndikim në politikë”,- theksoi kryetarja e “Transparency Internacional” – Maqedoni, Slagjana Taseva.
 
Shqetësuese, sipas Tasevës, është se qytetarët kanë frikë ta paraqesin korrupsionin për shkak se tremben se më pas mund të kenë pasoja. Nëse dy vite më parë 80% e qytetarëve paraqisnin rastet korruptive, sivjet ky numër ka rënë në 60%, tregon hulumtimi. 
 
“Ky hulumtim vjen pikërisht para dhe pas publikimit të të ashtuquajturave “bomba”. Në hulumtimin që e kemi pasur para dy viteve, 80% e qytetarëve të Maqedonisë theksuan se janë të gatshëm të bëjnë diçka kundër korrupsionit dhe mund të ketë ndonjë rezultat. Por, këtë vit përqindja e atyre të cilët kanë thënë se janë të gatshëm të bëjnë diçka kundër korrupsionit është 65%. Ndërsa rreth 40% mendojnë se nuk mund të bëjnë asgjë kundër korrupsionit. Një ndër argumentet kryesore se pse nuk paraqesin korrupsionin, rreth 25% theksuan se kanë frikë nga pasojat nëse paraqesin raste të korrupsionit”,- u shpreh kryetarja e “Transparency Internacional” – Maqedoni, Slagjana Taseva.
 
Sipas hulumtimit, 35% e të anketuarve vlerësojnë se korrupsioni është një ndër tre problemet kryesore në shtet. Madje, 31% e qytetarëve mendojnë se pjesë e korrupsionit janë pikërisht të punësuarit në kabinetet e kryetarit, kryeministrit apo udhëheqësve të tjerë të institucioneve shtetërore. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ