Maqedoni
Zyberi: Një koalicionim i vështirë
28.04.2014 18:04
Fituesit e zgjedhjeve parlamentare në kampin politik maqedonas, VMRO-DPMNE dhe në kampin politik shqiptarë...

Fituesit e zgjedhjeve parlamentare në kampin politik maqedonas, VMRO-DPMNE dhe në kampin politik shqiptarë, BDI, në bazë të mandateve të fituara, negociatat që do t’i zhvillojnë për formimin e koalicionit qeveritarë do të jenë të vështira.
Kështu vlerëson analisti politik, Naser Zyberi. Ai thotë me pozicionin absolut, VMRO-DPMNE do të përpiqet që ta ulë pozicionin e partnerit shqiptarë, duke i vështirësuar kështu negociatat dhe krijimin e një platforme të përbashkët qeveritare.
“Negociatat rreth formimit të Qeverisë mund të jenë të vështira, pasi që pozicioni i VMRO-DPMNE-së është dukshëm më absolut dhe në këtë drejtim do të tentohet të nënçmohet pozicioni dhe të ulet pozicioni i partnerit shqiptarë në Qeveri dhe në këtë mënyrë do ta vështirësojë procesin e krijimit të një platforme të përbashkët qeveritare”, theksoi analisti Naser Zyberi.
Analisti Naser Zyberi, duke i komentuar paralajmërimet e LSDM-së për mosnjohje të rezultatit zgjedhor, thotë se Maqedonia rrezikon të hyjë në një fazë jostabile dhe në një krizë të brendshme politike.
“Pa marrë parasysh epilogun e këtij paralajmërimi, unë mendoj se Maqedonia hyn në një fazë jostabile, e cila do të ketë reflekse edhe në pozitën ndërkombëtare të Maqedonisë. Në radhë të parë do të varet edhe nga procesi monitorues i OSBE-ODHIR-it, qëndrimi i KE-së dhe institucioneve tjera, të cilat do të jenë shumë më të kujdesshme në këtë rast dhe Maqedonisë do t’ia vështirësojnë procesin e anëtarësimit në këto struktura. LSDM hap një front që mund të krijojë krizë politike. Gjithë kjo situatë varet nga veprimi i tyre i mëtejmë, se a do të pranohen mandate apo fare nuk do të pranohen, pushteti lokal dhe këshilltarët do t’i dorëzojnë mandatet, e gjithë kjo mund ta implikojë situatën”, shtoi më tej Zyberi.
Formimi i Qeverisë në vend krijohet nga subjektet politike fituese në kampin politik maqedonas dhe shqiptarë, kjo është një rregull jo e bazuara në ligje, por që garanton funksionim të shtetit. Në vitin 2006, kur ky princip nuk u respektua, vendi u ballafaqua me krizë e që rezultoi me zgjedhje të parakohshme.
AFRIM TANALLARI
