Dënimi i komandantëve të UÇK-së, avokatët paralajmërojnë ankimim në Gjykatën Supreme

16.11.2016 17:45

Gjykata e Apelit ka bërë publike aktgjykimin në rastin “Drenica I” dhe “Drenica II”....

Gjykata e Apelit ka bërë publike aktgjykimin në rastin “Drenica I” dhe “Drenica II”, përmes një njoftimi me shkrim për mediat. Sami Lushtaku është dënuar me shtatë vjet burg, Sylejman Selimi me 10 vjet dhe Jahir Demaku me shtatë vjet burg.

Avokatët mbrojtës e quajnë skandaloz dënimin e tillë të gjeneralit, Sylejman Selimi - ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të Sami Lushtakut - ish komandanti i Zonës Operative të Drenicës.

Lushtaku është liruar paraprakisht nga akuza për vrasje. Pjesa tjetër e aktgjykimit është lënë në fuqi nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, vendim i datës 25 maj 2015.

“Aktgjykimi është skandaloz, është nxjerrë pa asnjë provë dhe të gjithë janë dënuar me deklaratën e një dëshmitari të mbrojtur, i cili ka probleme mendore të vërtetuara edhe gjatë gjykimit”,- tha avokati mbrojtës,  Tomë Gashi, duke paralajmëruar se ai dhe kolegët e tij avokatë do ta dërgojnë këtë rast në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ishte dënuar më 27 maj 2015 nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 12 vite burgim për një vrasje të kryer gjatë vitit 1998, ndërsa Sylejman Selimi me gjashtë vite për keqtrajtim të civilëve gjatë luftës.