Botë
Kuvendi i Kosovës, nuk ka debat për vdekjen e Astritit
17.11.2016 11:26
Me gjithë këmbënguljen e Vetëvendosjes dhe përkrahjen e dy partive opozitare, AAK dhe Nisma, Kuvendi i Kosovës...

Me gjithë këmbënguljen e Vetëvendosjes dhe përkrahjen e dy partive opozitare, AAK dhe Nisma, Kuvendi i Kosovës nuk debatoi për vdekjen e Astrit Deharit, pasi dy partitë në pushtet, PDK dhe LDK, ishin kundër.
Fillimisht, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, kërkoi përgjegjësi nga institucionet, pasi, siç tha ai, Dehari vdiq në burg. Derisa fliste Ymeri, deputetët e Vetëvendosjes shpalosën edhe pankartën me mbishkrimin “Drejtësi!”.
Ndërsa kreu i Vetëvendosjes tha se në këtë drejtim ka dështuar edhe Kuvendi i Kosovës.
“Ky Kuvend dështoi edhe sot që të ngritet në nivel të detyrës, që si Kuvend përfaqësues i këtyre qytetarëve, pasi pretendojmë se i përfaqësojmë këta qytetarë, nuk diskutojmë gjënë më të rëndësishme dhe më të preokupuar sot në mendjet, zemrat dhe sytë e qytetarëve, vdekjen e një studenti, një të riu, një djali, një burri, një kapaciteti të jashtëzakonshëm, në burg, nën mbikëqyrjen e shtetit, ku qartazi ai nuk kishte siguri”,- deklaroi Visar Ymeri nga Vetëvendosje.
Edhe Daut Haradinaj nga AAK kërkoi përgjegjësi nga institucionet dhe drejtësi për rastin.
“Nëse shteti ka diçka për të fshehur, atëherë mbylleni debatin, nëse nuk ka për të fsheh diçka, hapni debatin, le të vijnë përfaqësuesit qeveritarë këtu, le t’i ftojnë edhe përfaqësuesit e sigurisë, le ta marrim një përgjigje sa më të shpejtë që të jetë e mundur, e nëse kanë përgjegjësi ata zyrtarë, le të përgjigjen edhe ata, sepse drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë”,- theksoi Daut Haradinaj nga AAK.
Por, Zenun Pajaziti nga PDK dhe Ismet Beqiri nga LDK, megjithëse iu bashkëngjitën thirrjeve që organet kompetente sa më shpejtë të dalin me rezultate konkrete, ata nuk e mbështetën kërkesën e opozitës për debat.
“Unë jam i prirë t’u besoj institucioneve të drejtësisë, ndërsa kërkoj mbështetje edhe nga institucionet tjera që mund t’i ndihmojnë institucionet e drejtësisë, në mënyrë që këto rezultate të sqarojnë gjithçka dhe ne këtu të mos bëjmë organin e drejtësisë”,- tha Zenun Pajaziti nga PDK.
“Kërkojmë që organet kompetente të dalin sa më shpejtë, të dalin me rezultatet e autopsisë dhe ato që janë në përgjegjësinë e tyre, padyshim që puna profesionale dhe angazhimi që këto rezultate të dalin sa më shpejtë bën që të ketë sa më pak mundësi nga kushdo qoftë që rasti, si i tillë, shumë i rëndë, shumë i dhimbshëm, të përdoret për qëllime tjera”,- u shpreh Ismet Beqiri nga LDK.
Më pas nuk u pranua propozimi që kjo pikë të futet në rend dite. Deputetët e opozitës e braktisën seancën kuvendore.
GYLTENE SINANI
