Maqedoni
OSBE/ODHIR: Zgjedhjet e qeta dhe efikase
28.04.2014 18:17
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoni u zbatuan në mënyrë efikase...

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoni u zbatuan në mënyrë efikase dhe qytetarët kishin mundësi të zgjedhin përfaqësuesin e tyre.
Kështu i vlerësuan nga OSBE-ODHIR-i zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të realizuara ditën e djeshme.
OSBE-ja gjatë pres-konferencës së sotme, doli me apel ndaj partive politike për të mos i bojkotuar zgjedhjet apo rezultatet, duke shprehur keqardhje për partinë më të madhe opozitare maqedonase, e cila ka vendosur mos t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve.
Siç theksuan nga OSBE-ja, politikanët me përvojë si qytetarë të vendeve demokratike evropiane, asnjëherë nuk nxisin politika të bojkotit kur bëhet fjalë për zgjedhje.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë liderëve, të punojnë së bashku për t’u siguruar fillim normal i punës së Qeverisë së re. OSBE-ja është e gatshme për t’ju ndihmuar liderëve në këtë proces, me qëllim të përparimit të demokracisë”, tha nga OSBE-ja, Kristine Mutonen.
Mandati ynë sido që të jetë nuk është të komentojmë rezultatet e zgjedhjeve apo vendimet e partive politike, por kemi vërejtur mungesë të ndarjes së aktiviteteve partiake nga ato qeveritare, theksoi ambasadori i OSBE-së, Gert Arens.
Sipas tij, përfaqësuesit e OSBE–së në Maqedoni kanë shënuar vërejtje te mbulimi mediatik gjatë fushatës, sipas të cilëve, mediat kanë qenë në shërbim të pushtetit, duke u lënë më shumë hapësirë kandidatëve të partisë në pushtet, u shpreh Arens.
Vëzhguesit e OSBE-së do të qëndrojnë edhe ca ditë në Maqedoni, për të ndjekur përmbylljen e zgjedhjeve të dyfishta dhe më pas do të përgatitet raport, i cili do të komentohet edhe në raportin progresiv të Maqedonisë nga ana e Këshillit Evropian.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
