Maqedoni

LSDM ripërsërit qëndrimin për mospranimin e zgjedhjeve

28.04.2014 18:20

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski, në emër të opozitës së bashkuar maqedonase dhe kandidati presidencial i opozitës...

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Oliver Spasovski, në emër të opozitës së bashkuar maqedonase dhe kandidati presidencial i opozitës, Stevo Pendarovski, kanë ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve të djeshme parlamentare dhe presidenciale.
 
Beteja për Maqedoninë demokratike evropiane vazhdon, tha Spasovski, sipas të cilit LSDM-ja e di vullnetin e qytetarëve, i cili dje u manipulua dhe nuk erdhi në shprehje.  
 
“Insistojmë në formimin e Qeverisë teknike, që do të realizojë proces zgjedhor fer, ku do të reflektohet vullneti real i qytetarëve të Maqedonisë. Për të gjitha parregullsitë në procesin zgjedhor për çka ishit të informuar, do të parashtrohen edhe dëshmi shtesë me foto dhe video nga dita e djeshme”, deklaroi sekretari i LSDM-së, Oliver Spasovski.
 
Ngjashëm u shpreh edhe kandidati presidencial, Stevo Pendarovski, i cili vlerësoi se zgjedhjet e djeshme jo vetëm që nuk ishin skandinavike, por as ballkanike.
 
“Në Republikën e Maqedonisë, sipas bindjes time, dje dhe në ditët e kaluara, nuk kishin zgjedhje skandinave, ne nuk kishim as zgjedhje ballkanike. Ne dje dhe në periudhën e kaluar kishim zgjedhje jugo-amerikane,  të tipit të atyre që kanë udhëhequr në atë kontinent në vitet e 50-ta shekullit të kaluar, e në disa shtete edhe sot”, tha kandidati presidencial i LSDM-së, Stevo Pendarovski.
 
Pendarovski po ashtu bëri të ditur se ai do të vazhdojë të jetë i angazhuar për të ndihmuar opozitën, përkatësisht LSDM-në. 
 
GYLTENE SINANI