Hulumtimi i posaçëm i Avokatit të Popullit: Nxënësit nuk kyçen në vendimmarrje
Nxënësit e shkollave të mesme janë shumë pak apo nuk janë fare....

Nxënësit e shkollave të mesme janë shumë pak apo nuk janë fare të kyçur në miratimin e vendimeve që lidhen me interesat e tyre.
Kështu ka rezultuar hulumtimi i posaçëm i zyrës së Avokatit të Popullit dedikuar pjesëmarrjes së nxënësve në vendimmarrje në 103 shkolla të mesme të vendit. Analiza gjithashtu ka nxjerrë në sipërfaqe se në Maqedoni nuk është e rregulluar me ligj pjesëmarrja e nxënësve në miratimin e vendimeve. Për këtë qëllim, Vaska Bajramovska-Mustafa thotë se duke u bazuar në këtë hulumtim, MASh-it u janë rekomanduar ndryshime në Ligjin për shkollimin e mesëm.
“Kemi rekomanduar ndryshime të Ligjit për shkollimin e mesëm që t’i jepet formë juridike të drejtës për pjesëmarrje të nxënësve, ku përfaqësuesit e tyre në mënyrë cilësore do të munden t’i përfaqësojnë të drejtat e fëmijëve, t’i shpalosin interesat dhe qëndrimet e tyre, edhe atë jo vetëm për çështje të parëndësishme, siç janë ekskursionet, festimi i maturave, por për çështje shumë më thelbësore, që lidhen me procesin arsimor”,- deklaroi zëvendësavokati i popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa.
Nxënësit dhe prindërit e tyre kanë mundësi të marrin pjesë vetëm në ngritjen e parashtresave, edhe atë për tre arsye: kur nuk janë të kënaqur me notën në fund të vitit, me rezultatin e testimit ekstern dhe për shqiptimin e masave pedagogjike, thuhet në raportin që prezantuan përfaqësuesit e zyrës së Avokatit të Popullit. (Naim Ramadani, TVM2)
