Vazhdojnë bombardimet në Alepo, 82 të vdekur dhe qindra të plagosur
Së paku 82 persona raportohen të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur.....

Së paku 82 persona raportohen të vdekur dhe qindra të tjerë të plagosur gjatë sulmeve ajrore drejt pikave të kontrolluara nga rebelët sirianë, raportojnë mediat lokale.
Mbrojtja civile raporton se nga sulmet, të cilat nuk kanë pushuar gjatë 24 orëve të fundit në Alepo, janë goditur edhe shumë qytete përreth, ndërsa janë përdorur bomba të fuqisë së madhe shkatërruese.
Sulmet ajrore të forcave qeveritare të Sirisë në pjesën lindore të Alepos goditën një spital, një qendër për grumbullimin e gjakut dhe disa autoambulanca, derisa Shoqata e Mjekëve të Pavarur raportoi se Spitali i Fëmijëve “Bajan” është dëmtuar keq dhe në mesin e viktimave ka edhe fëmijë.
Në lindje të qendrës së Alepos që nga 4 shtatori 340 mijë civilë ndodhen nën rrethimin e forcave të regjimit.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara një ditë më parë ka dënuar sulmet ajrore në rritje në Alepo dhe ka bërë thirrje për armëpushim.
Ndërsa Igor Konashenkov, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, që votoi kundër qëndrimit të OKB-së, pretendon se avionët rusë që prej 28 ditësh nuk fluturojnë mbi Alepo. (Leunora Kaliqi, TVM2)
