Dita Botërore e Lindjeve të Parakohshme, lindjet e parakohshme në Maqedoni në 9%

17.11.2016 17:55

Lindjet e parakohshme paraqesin problem global në të gjithë botën....

Lindjet e parakohshme paraqesin problem global në të gjithë botën. Sipas të dhënave nga Qendra për Shëndet Riprodhues të Klinikës Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup, shkalla e  lindjeve të parakohshme në Maqedoni është në 9 për qind.

Në krahasim me vitet e kaluara kjo ka shënuar rritje, tha drejtoresha e Klinikës, Marija Haxhi-Lega, me rastin e Ditës Botërore të Lindjeve të Parakohshme. Një nga shkaqet e lindjeve të parakohshme janë kontrollet jo të rregullta dhe infeksionet gjatë shtatzënisë.

“Një nga shkaqet e lindjeve të parakohshme janë infeksionet dhe për atë intensivisht është punuar për kontrolle të rregullta gjinekologjike dhe monitorimin mikrobiologjik te gratë shtatzëna gjatë kujdesit antenatal, i cili është shumë i rëndësishëm për uljen e normës së lindjes parakohe. Apeloj te të gjitha nënat e ardhshme që t[i bëjnë rregullisht kontrollet e nevojshme gjatë shtatzënisë”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës Universitare të Gjinekologjisë, Marija Haxhi-Lega.

Klinika, si rezultat i bashkëpunimit të Shoqatës për Mjekësi Perinterale në Evropën Juglindore, përfaqësues i së cilës është ajo, do të kyçet në një studim multicentirik, i cili do të fillojë vitin e ardhshëm, ku Maqedonia do të arrijë të kontribuojë në hulumtimin e mekanizmave patogjene të lindjes së parakohshme. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)