Sulejman Rexhepi: Shteti nuk kujdeset njësoj për objektet e kultit

17.11.2016 18:21

Xhamitë e periudhës osmane janë objekte historike që mbrohen nga shteti....

Xhamitë e periudhës osmane janë objekte historike që mbrohen nga shteti. Por, edhe pse të tilla, përveç disa intervenimeve të pjesshme, xhamitë e vjetra janë lënë në mëshirë të fatit.

Shteti nuk intervenon jo vetëm në xhamitë e vjetruara nga koha, por as në objektet e kultit të cilat janë djegur qëllimisht, siç është rasti i xhamisë së çarshisë në Prilep, objekt i cilësuar me vlera të rralla historike.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, thotë se ndryshe nga xhamia e Prilepit, manastiri i Leshkës, gjithashtu i dëmtuar qëllimisht, u mor nën përkujdesin shtetëror dhe u ndërtua me para nga buxheti.

“Sikurse padrejtësitë në të gjitha fushat, ka padrejtësi dhe në interesimin për monumentet kulturore. Xhamia e çarshisë në Prilep edhe me tej është gërmadhë dhe e djegur, nuk ishte fatkeqësi, si tërmet, por qëllimisht ju vu zjarri... edhe sot e kësaj dite nuk ka intervenim. Ka vendim që Manastiri i Leshkës në Tetovë dhe xhamia e çarshisë në Prilep të ndërtohen nga buxheti shtetëror”,- deklaroi kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi.

Derisa xhamia e Prilepit duhet të presë kohë më të mira, BFI ka nënshkruar marrëveshje me Agjencinë TIKA për restaurimin e tre xhamive të periudhës osmane, “Sulltan Murat”, “Isak Bej” (Allaxha) dhe “Husejin Shah” në Shkup. Punimet mbështeten edhe nga Ministria e Kulturës.

“Kanë filluar punimet e restaurimit për xhamitë “Sulltan Murat”, “Allaxha” dhe “Husejin Shah”, punimet projektuese të të cilave i kemi filluar vitin e kaluar. Xhamitë që do të restaurohen janë ndër objektet më të rëndësishme të periudhës osmane në Shkup dhe se ato janë simbolet e qytetit”,- u shpreh drejtori i Agjencisë TIKA, Temoan Tiryaki.

Restaurimi i xhamive pritet të përfundojë brenda dy viteve, e deri në përfundimin e punimeve ato do të jenë të mbyllura për besimtarët. (Ersan Pajaziti, TVM2)