Protesta në Brazil, kërkohet kthimi i regjimit ushtarak

17.11.2016 19:31

Manifestuesit, të cilët kanë hyrë me forcë në dhomën e ulët të Kongresit në kryeqytetin Brazilia...

Manifestuesit, të cilët kanë hyrë me forcë në dhomën e ulët të Kongresit në kryeqytetin Brazilia, kanë zhvilluar protesta masive në Brazil, ku të paktën 40 protestues janë përleshur me agjentët e sigurisë dhe kanë arritur të zaptojnë podiumin.

Ata kanë kërkuar rikthimin e regjimit ushtarak, që qeverisi Brazilin nga viti 1964 deri në 1985.

Demonstruesit kanë kaluar agjentët dhe kanë thyer një derë prej xhami për të hyrë në dhomën e Parlamentit, ku kanë bërtitur “duam gjeneralët” dhe kanë kënduar himnin kombëtar.

Policisë i janë dashur tre orë për t’i rrethuar protestuesit, të cilët më pas janë arrestuar të gjithë.

Më vonë gjatë ditës, zëdhënësi i presidentit Michel Temer, Alexandre Parola, e cilësoi protestën një “fyerje” dhe tha se zhvillimi i saj “shkeli të gjitha normat e bashkëjetesës demokratike”.

Besimi publik në institucionet në Brazil është gërryer kohët e fundit për shkak të skandalit të korrupsionit masiv ku ishte përfshirë edhe ish-presidentja, Dilma Rousseff.

Në Rio de Zhaneiro, ndërkohë, policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj punonjësve të sektorit publik, që manifestonin kundër shkurtimeve. (Leunora Kaliqi, TVM2)