Maqedoni

AHMETI: Mbështetje historike për BDI-në

28.04.2014 18:29

“Kjo është një fitore historike e Bashkimit Demokratik për Integrim”, kështu u shpreh mbrëmë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti...

“Kjo është një fitore historike e Bashkimit Demokratik për Integrim”, kështu u shpreh mbrëmë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, nga shtabi zgjedhor, bazuar në të dhënat e përpunuara nga IT-qendra e kësaj partie për rezultatet e zgjedhjeve të  parakohshme parlamentare.
 
Sipas Ahmetit, kjo fitore i dedikohet kombit shqiptarë në Maqedoni, të cilët me votën e tyre vulosën fitoren dhe realizimin e projekteve të parapara në platformën e integristëve. Kronologjikisht BDI është e vetmja parti politike shqiptare e cila në trojet etnike Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, që nga themelimi i saj në vitin 2002 e deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, nuk ka pësuar asnjë humbje. 
 
“BDI-ja në këto zgjedhje ka fituar mbi 150.000 vota të përpunuara. Oponenti ynë është nën 50 mijë. Ju them shqiptarëve që nga shtabi qendror komunal dhe lokal, këtë fitore, këta burra dhe gra që kanë punuar, ia dedikojnë kombit shqiptarë në Maqedoni, këtë fitore ia dedikojnë çdo votuesi të BDI-së, ia dedikojmë çdo shqiptari, sepse koncepti jonë, puna jonë që kemi bërë deri më tani, u dedikohet të gjithë shqiptarëve, por sigurisht merita u takon votuesve të BDI-së, iu takon diasporës, pa harruar që ka luajtur një rol të madh historik në të gjitha ngjarjet në hapësirat shqiptare", deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Me këtë rast kreu i partisë më të madhe shqiptare, Ali Ahmeti, tha se kjo është edhe një fitore e madhe për Republikën e Maqedonisë.
 
“Kjo është fitore e madhe për Maqedoninë, sepse BDI ka program, ka platformë, ka ofertë që ky vend të dalë nga status “KUO-ja” dhe të bëjë hapat e duhura në drejtim të pritjes së madhe, që ky vend sa më parë të anëtarësohet në NATO dhe BE, si alternativë e vetme, sepse kështu sigurohet një ardhmëri e sigurt dhe e qëndrueshme për të gjithë qytetarët, për të gjitha gjeneratat. Kështu sigurohet paqja, stabiliteti në vend dhe rajon dhe andaj nuk ka të ardhme tjetër më të mirë se me qenë brenda këtyre mekanizmave të mëdha”, theksoi më tej Ahmeti.
 
Lideri i BDI-së, Ahmeti, u zotua se platforma e paraqitur para elektoratit, nuk do të zhgënjej qytetarët shqiptarë, por do të hasë realizim  të plotë. Anëtarësimi në BE dhe NATO, jo vetëm që garanton marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, por rrit besueshmërinë edhe te faktorët relevant, që kryekëput ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe përparimin e vendit.  
 
 
MERITA GASHI