Maqedoni
Lënda “Shënjestra”, 10 persona të DSK-së dyshohen për përgjimet
18.11.2016 13:37
Prokuroria Speciale shpalos lëndën “Shënjestra” për përgjimin e jashtëligjshëm të 5 mijë e 827 numrave të telefonit nga 10 persona...

Prokuroria Speciale shpalos lëndën “Shënjestra” për përgjimin e jashtëligjshëm të 5 mijë e 827 numrave të telefonit nga 10 persona të punësuar në poste drejtuese, por edhe instanca më të ulëta të shërbimit sekret.
Përgjimi është kryer nga periudha 2008-2015. Prokurorja, Fatime Fetai, thotë se personat e dyshuar e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në dëm të shtetit, duke keqpërdorur sistemet për ndjekjen e komunikimeve dhe shkelur të drejtat themelore dhe liritë e qytetarëve.
“Këta persona kanë keqpërdorur të drejtën zyrtare dhe kompetencën. Ekziston dyshim se personat kanë keqpërdorur sistemin e përgjimit. Dëshmitë tregojnë se nga 2008 e deri më 2015 është ndjekur komunikimi i 4 mijë e 286 numra të telefonit, për të cilat nuk janë dhënë urdhra gjyqësorë. Tek disa është përgjuar edhe pas skadimit të aftit të urdhrit gjyqësor, duke u përgjuar 1541 numra të telefonit”,- deklaroi prokurorja, Fatime Fetai.
Përgjimi është kryer nga tre sisteme. Dyshohet se tre të dyshuarit në detyra udhëheqëse pa urdhër gjyqësor kanë urdhëruar për vendosjen e numrave apo edhe vetë i kanë vënë ato për t’i përgjuar.
Janë përgjuar persona të afërt me të dyshuarin kryesor, të spektrit politik dhe të biznesit. Ali Ahmeti është përgjuar në dy numra të telefonit mbi 1 mijë ditë, Menduh Thaçi mbi 2 mijë ditë. Lube Boshkovski mbi 400 ditë, Musa Xhaferi mbi 1 mijë e 600 ditë, Gordana Jankullovska 732 ditë, po aq edhe Mile Jankievski.
I gjithë përgjimi i jashtëligjshëm është vërejtur nga një person tjetër, i cili ia ka dorëzuar materialet e përgjuara personit të dytë për të përfunduar në duart e liderit opozitar maqedonas. Për Nikolla Gruevskin nuk ka të dhëna se është përgjuar.
Prokuroja, Lençe Ristovska thotë se presin përgjigje edhe nga operatorë të tjetër që të japin informacion përfundimtar për këtë çështje. Ristovska hedh poshtë pretendimet se lënda “Shënjestra” ka për qëllim të ndikojë në procesin zgjedhor.
“Ne nuk punojmë në bazë të porosive të askujt, por veprojmë në bazë të dëshmive. Se dëshirojmë të ndikojmë në procesin zgjedhor, kjo absolutisht s’është e vërtetë. Është e rastësishme që të procesuohet lënda para fushatës zgjedhore”,- tha prokurorja, Lençe Ristovska.
Prokuroria Speciale ndaj 10 të dyshuarve nuk do të kërkojë masa paraprake të sigurisë, pasi që nuk ekzistojnë indikacione se të dyshuarit mund t’i ikin procesit hetimor. Thuhet se “Shënjestra” mund të ketë ndikim edhe mbi rastin “Puç”.
MERAL ISMAILI
