Maqedoni
BDI dhe VMRO rrisin mbeshtetjen
28.04.2014 18:53
Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve shpalosi rezultatet zyrtare për zgjedhjet e dyfishta të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe ato parlamentare...

Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve shpalosi rezultatet zyrtare për zgjedhjet e dyfishta të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe ato parlamentare.
Sipas KSHZ-së, fitues të zgjedhjeve parlamentare në bllokun politik maqedonas me numër më të madh të votave shpallet VMRO-DPMNE, me 481.289 vota ose 61 mandate në Kuvendin Republikan, ndërsa në bllokun politik shqiptarë fituese shpallet BDI, e cila ka arritur të sigurojë 153.583 vota ose 19 mandate.
LSDM me koalicionin e saj ka fituar 283.930 vota ose 34 mandate. PDSH 66.392 vota ose 7 mandate, RDK dhe GROM kanë fituar nga një mandat.
Ndërsa sa u përket zgjedhjeve presidenciale, fitues shpallet kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, me 534.699 55.27% vota në krahasim me kundërkandidatin e tij, Stevo Pendarovski, i LSDM-së, i cili ka fituar 398.050 vota ose 41.14%.
“Numri i përgjithshëm i trupit votues të regjistruar në listën zgjedhore është 1.780.128, numri i qytetarëve të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën e votës është 1.140 .202 ose 64.05 %. LSDM përgjithësisht ka fituar 283.930 ose 24.90% , PDSH 66.392 OSE 5.82% , BDI ka fituar 153.583 ose 13.47% dhe koalicioni VMRO-DPMNE ka fituar 481.289 ose 42.21% . Ndërsa për zgjedhjet presidenciale, gjendja e numrave është e tillë, ku numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën zgjedhore është 1.779.572, ndërsa numri 967.464 ose 54.6%, kandidati Gjorge Ivanov ka fituar 534.699 ose 55.27% të numrit të përgjithshëm votues, ndërsa kandidati Stevo Pendarovski ka fituar 398.050 vota ose 41.14%”, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Nikolla Rillkovski.
Nga KSHZ njëherit theksuan se deri më tani nuk kanë pranuar ankesa nga asnjë parti politike, ndërsa i pyetur nga gazetarët rreth masave eventuale që mund të ndërmerr KSHZ-ja rreth qëndrimit të LSDM-së, për mospranim të procesit zgjedhorë në tërësi, kryetari i KSHZ-së, Rillkovski, nuk deshi të komentojë qëndrimin e tille të LSDM-së, duke theksuar se KSHZ-ja do të respektojë regullativën ligjore.
Dalja e votuesve në raundin e dyte të zgjedhjeve presidenciale ka qenë 54% të trupit të përgjithshëm votues, ndërsa për ato parlamentare 64% e trupit të përgjithshëm.
Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të pavlefshme për zgjedhjet presidenciale është 34.703, ndërsa për ato parlamentare është 37.366.
ZEJXHANE OSMANI
