Maqedoni

75 vjet shkolla shqipe në Maqedoni, pullë e re postare në përkujtim të mësuesve të parë

18.11.2016 14:25

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Posta e Maqedonisë...

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Posta e Maqedonisë, në 75 vjetorin e hapjes së shkollave të para shqipe promovuan pullën e re postare.
 
Kjo pullë është përkujtim historik i sakrificës së 200 mësuesve të parë dhe të ditës që  reflekton arsimin, ardhmërinë dhe atdhetarinë.  
 
“Për së pari herë shteti shqiptar dërgon mbi 200 arsimtarë në trevat etnike shqiptare për të mbjellë farën kombëtare dhe për t’i rezistuar projekteve fashizoide që kishin të bënin me asimilimin e popullit shqiptar dhe hapja e këtyre shkollave dhe kjo pullë postare që ne po e promovojmë sot nuk është vetëm një pullë postare, nuk është fotografi, por është një histori”,- deklaroi drejtori i ITShKShM-së, Skender Hasani.
 
“Pulla e sotme postare le të jetë një libër i hapur të cilin ia dedikojmë të parëve tanë dhe le të udhëtojë ashtu sikur udhëtojnë edhe mendimet e një shkrimi të mirë cilësor dhe të lexueshëm. Ky është një kontribut i vogël në raport me madhështinë e misionit të tyre”,- tha drejtori i Postës së Maqedonisë, Fadis Rexhepi.
 
“Këto shkolla, ose gjeografia e këtyre shkollave gjatë vitit shkollor 942-43 do të zgjerohet edhe më tepër, saqë do të arrijë numrin deri në 86 shkolla. Përveç këtyre ka pasur edhe shkolla të mesme, p.sh. Liceu Liria në Tetovë, në Gostivar një shkollë profesionale etj”,- theksoi historiani, Nebi Dervishi.
 
Pulla postare “75 vjet nga hapja e shkollave të para shqipe në Maqedoni” ,është lëshuar në tirazhë prej 7000 ekzemplarëve dhe shënon një vepër të autorit, Luran Kufallo, nga Byroja e Filatelisë në Postën e Maqedonisë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI