Maqedoni

Ekspertët: rritet niveli i korrupsionit në Maqedoni

18.11.2016 16:13

Korrupsioni në vend është në rritje. Maqedonia frymon aktualisht sipas konceptit të “shtetit të robëruar”...

Korrupsioni në vend është në rritje. Maqedonia frymon aktualisht sipas konceptit të “shtetit të robëruar” dhe elitat politike shfrytëzojnë institucionet për interesat e tyre private. Akuzat vijnë nga Instituti për Demokraci.
 
Analisti, Misha Popoviq, thotë se përgjegjësia kryesore është e institucioneve dhe kriza nuk do të kapërcehet nëse autoritetet nuk merren seriozisht me këtë problematikë dhe për këtë duhet sistem i pavarur gjyqësor.
 
Edhe nga “Transparency Internacional” pajtohen se vetëm me luftimin e veprimeve korruptive mund të kthehet besimi në institucionet e sistemit.
 
"Në rastet kur një politikan aktual, që mund të jetë në pushtet, madje edhe në  nivele të larta, akuzohet më pas dhe dënohet për korrupsion në një proces të drejtë gjyqësor. Një veprim i tillë do t’i inkurajonte qytetarët të paraqesin rastet e korrupsionit”,- tha Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci.
 
“Besimi në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e sistemit do të përforcohet nëse ka procedura efektive kundër atyre që ndërmarrin veprime korruptive”,- theksoi Sllagjana Taseva nga “Transparency International”.
 
Analizat tregojnë se 480 mijë qytetarë në vit japin ryshfet për të kryer ndonjë punë administrative.
 
Por, sipas “Transparency  International”, nga frika, gjithnjë e më shumë qytetarë pranojnë të denoncojnë rastet e korrupsionit.
 
BESIM ABDULLAI