Maqedoni
Koalicioni mediatik për edukim: Mediat të përqendrohen më shumë te qytetarët
18.11.2016 16:37
Koalicioni mediatik për edukim është platforma e re e Shkollës së lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun...

Koalicioni mediatik për edukim është platforma e re e Shkollës së lartë për gazetari dhe marrëdhënie me publikun, si dhe e Bashkimit Europian, e cila do të kontribuojë për edukimin mediatik, vetëdijesimin e opinionit për çështje të caktuara që fare pak po trajtohen në hapësirën mediatike.
Tetë OJQ dhe media përmes emisioneve, kronikave dhe intervistave të ndryshme do të tentojnë t’i ofrojnë qytetarëve temat që prekin grupet e rrezikuara në shoqëri, sëmundjet e rralla, sportin dhe promovimin e të drejtave shëndetësore dhe seksuale për komunitetet e margjinalizuara.
“Ky koncept nënkupton bashkëpunimin e OJQ-ve për të edukuar grupet e tyre të synuara dhe në këtë kemi paraparë forma të ndryshme të bashkëpunimit, duke filluar me emetimin e kronikave në radio dhe televizione. Këtu qytetarët e kanë rolin e gazetarëve dhe ata vetë i krijojnë përmbajtjet mediatike”,- deklaroi Aleskandra Temenugova nga Shkolla e lartë për gazetari dhe mardhënie me publikun.
“Koalicioni metiatik për edukim është fillim i mirë për të inspiruar shumë të tjerë që t’i bashkëngjiten këtyre përpjekjeve dhe shkëmbejnë qëllimet e përbashkëta. Mediat janë ato që lejojnë qytetarët të përfshihen në proceset demokratike, pasi që qytetarët duhet të luajnë rol aktiv në shoqëri”,- u shpreh Jaromir Leviçek nga BE.
Në emisionin e mëngjesit në Servisin Publik gjithashtu do të emetohet projekti i përbashkët i Olimpiadës speciale “Krenar për veten”, i cili do të ketë karakterin promovues të grupeve të margjinalizuara, e që do të marrin pjesë personazhe të njohur për publikun e gjerë.
REXHEP QAMILI
