Maqedoni

Katër komuna pranuan dokumentacion teknik, projekt infrastrukturor për zhvillim të turizmit

18.11.2016 16:58

Katër kryetarët e komunave të Çashkës, Debarcës, Likovës dhe Bogovinës kanë pranuar dokumentacion teknik...

Katër kryetarët e komunave të Çashkës, Debarcës, Likovës dhe Bogovinës kanë pranuar dokumentacion teknik për projekte infrastrukturore për zhvillim të turizmit rural nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe UNDP-ja.
 
Ministra e Vetëqeverisjes Lokale dhe UNDP janë përgjigjur në nevojat e këtyre komunave, në suaza të një projekti më të gjerë për nxitjen e zhvillimit dhe turizmit rural në rajonin malor verilindor, Vardarit jugperëndimor dhe Pollogut. 
 
“Ministria e Pushtetit Vendor dhe UNDP, kemi ndarë mbi 70 mijë euro në përgatitjen e këtij dokumentacioni teknik, i cili do të ju hapë rrugë komunave rurale që të aplikojnë nëpër fonde të ndryshme ndërkombëtare, gjegjësisht në aplikimin që e kemi me Bankën Botërore për financimin e projekteve infrastrukturore për zhvillimin e turizmit”,- deklaroi ministrja e Pushtetit Lokal, Shyrete Elezi.
 
“Ajo që është me rëndësi, të krijohen kushte më të mira në bashkësitë rurale. UNDP¬ arriti të japë 100.000 dollarë amerikane shtesë në  projektin për përmirësimin e mbrojtjes nga përmbytjet për banorët e Tetovës dhe në rajonin e Pollogut. Ndërsa vlera e përgjithshme e këtij projekti është 430.000 dollarë",- theksoi përfaqësuesja e UNDP-së, Luiza Vinton.
 
Ndërsa kryetari i komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi, theksoi se ky projekt ka për qëllim ta zhvillojë degën e ekonomisë, posaçërisht turizmin. 
 
“Këtë dokumentacion teknik  në letër të ta zbatojmë në të ardhmen. Kjo është pjesë e decentralizimit të bashkëpunimit vendor dhe atij lokal”,- theksoi kryetari komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi.
 
Me këtë projekt në komunën e Bogovinës do të ndërtohen shtigje për këmbësorë në gjatësi prej 32 kilometrave dhe do të vendosen tablo turistike informative, ndërsa në afërsi të digës Glazhnja në komunën e Likovës do të ndërtohet rruga lokale drejt lokalitetit Pisha.
 
REJHANE BUSHI-METAJ