Botë
Indi, aksident hekurudhorë, mbi 100 të vdekur
20.11.2016 13:07
Aksident i rëndë hekurudhor në Indi, prej ku njoftohet për mbi 100 të vdekur...

Poashtu 150 persona janë lënduar si pasojë e daljes nga shinat të një treni pranë qytetit të Kanpurit. Aksidenti ka ndodhur pak pas orës tre të mëngjesit, sipas orës lokale.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi daljen nga shinat të 14 vagonëve të trenit ekspres. Ekipet e shpëtimit po përdorin mjetet e rënda për të çarë metalin e tyre të deformuar e për të nxjerrë të mbijetuarit.
Shumica e viktimave ndodheshin në dy vagonët afër lokomotivës që është përmbysur e dëmtuar rëndë. Të paktën 250 efektivë policie mbërritën në zonë shumë shpejt pas aksidentit.
Kryeministri Narendra modi tha se ishte “në dhimbje të thellë” nga humbja e jetëve në aksident. Ministri i Hekurudhave, Suresh Prabu shkroi në rrjetin social Tëitter se ndaj personave përgjegjës do të merren masat më të ashpra të mundshme.
Duke theksuar se po e monitoron personalisht situatën, ai kërkoi nisjen e menjëhershme të një hetimi mbi aksidentin tragjik, ndërsa njoftoi se të afërmit e të vdekurve dhe të plagosurit do të marrin kompensim nga shteti.
Një pasagjere, vagoni i së cilës nuk devijoi, i tha Associated Press se treni ka qenë duke lëvizur me shpejtësi normale. Pak përpara përplasjes, ai ka ndaluar në mënyrë të befasishme e paskësaj ishte nisur sërish.
Kanpuri është një nyje e rëndësishme hekurudhore nëpër të cilën kalojnë çdo ditë me qindra trena. Aksidentet hekurudhore janë të zakonshme në Indi, ku pjesa më e madhe e sistemit hekurudhor është tejet e vjetëruar.
MERALE ISMAILI
