Botë

Alepo, shumë të vrarë nga sulmet ajrore

20.11.2016 13:29

Nga sulmet intensive ajrore dhe të shtënat e artilerisë janë vrarë shum njerëz në qytetin sirian Aleppo....

Observatori sirian për të Drejtat e njeriut, me seli në Londër, tha se të paktën 48 persona janë vrarë, përfshirë edhe 5 fëmijë, në pjesën e Aleppos që kontrollohet nga rebelët nga sulme të shumëfishta ajrore dhe granatat e artilerisë.
 
Observatori tha se me viktimat e fundit numri I përgjithshëm i të vrarëve nga bombardimet e shtuara në Aleppo dhe në rajonet në afërsi në pesë ditët e fundit ka arritur në 180, përfshirë edhe 97 në rrethinën e qytetit. Sulmet ajrore dhe bombardimet kanë goditur edhe spitalet në Aleppon lindore, duke bërë që të mbyllen të gjithë objektet mjekësore në rajon.
 
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Susan Rice, tha se SHBA-ja dënon “fuqishëm” sulmet e fundit ajrore ndaj spitaleve dhe i ka bërë thirrje Rusisë, një aleati të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, që të ndërmarrë masa për të parandaluar dhunën.
 
Edhe sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson në rrjetin social Twitter ka shkruar se sulmet ajrore që godasin civilët dhe spitalet janë “të neveritshme’ dhe ka bërë thirrje për kthim në diplomaci.
 
Elizabeth Hoff, përfaqësuese e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Siri, tha se grupi i agjencive të OKB-së për ndihmat, të vendosur në afërsi të kufirit në Turqi, “ka konfirmuar se të gjtiha spitalet janë jashtë shërbimit".
 
Më 18 nëntor, bombradimet nga forcat qeveritare të Sirisë, pjesërisht shkatërruan një nga siptalet e fundit në Aleppon lindore, duke vrarë pacientë dhe duke e detyruar të mbyllet.