Avokati i popullit: Të mos bëhet presion ndaj qytetarëve
Avokati i Popullit, në prag të Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare, ua rikujton qytetarëve se secili ka të drejtë të deklarohet për opsionin e vet...

Avokati i Popullit, në prag të Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare, ua rikujton qytetarëve se secili ka të drejtë të deklarohet për opsionin e vet, pa vuajtur kurrfarë pasojash, pasi qytetarët janë ata që vendosin.
“Askush nuk guxon, përmes formave të ndryshme të presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve, të vendos në emër të tyre”.
Me denoncimin në kohë të parregullsive, të çfarëdo qoftë lloji, qytetarët e mbrojnë të drejtën e tyre dhe njëkohësisht kontribuojnë në procesin e përgjithshëm zgjedhor demokratik.
“Avokati i Popullit i inkurajon të gjithë (qytetarët), menjëherë dhe pa hezitim t’i denoncojnë të gjitha format e presionit, shkeljeve, të drejtave të tyre dhe rregullave, edhe në linjën e hapur falas 0800- 54-321, drejtpërdrejt në Zyrën e Shkupit dhe zyrat rajonale”.
Gjithashtu, nga ky institucion thonë se do të intervenojnë në kohë dhe në mënyrë efikase për të gjitha rastet e denoncimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
"Avokati i Popullit, posaçërisht u bën apel të gjithë atyre që janë në pozicione udhëheqëse nëpër institucione, si dhe personave të tjerë të administratës publike, të mos e marrin guximin, në çfarëdo qoftë mënyre të kryejnë frikësime dhe presione mbi të punësuarit dhe të sillen me përgjegjësi. Në të kundërtën, sjellja e këtillë është e patolerushme dhe i nënshtrohet përgjegjësisë penale. Në këtë drejtim, Avokati i Popullit i inkurajon të gjithë të punësuarit në administratë dhe të gjithë personat e tjerë, pa hezitim dhe pa frikë, informacionet për veprimet e këtilla t’i denoncojnë deri te institucionet kompetente dhe deri te Avokati i Popullit i cili, pa përjashtim, do ta garantojë fshehtësinë e të dhënave".
Kjo vlen edhe për të gjithë punëdhënësit e tjerë të cilëve, në ditën e zgjedhjeve duhet t’u caktohet orar pune i cili do t’u mundësojë që papengesë ta realizojnë të drejtën e votës.
“Gjithashtu, në prag të fushatës zgjedhore, Avokati i Popullit u drejton apel të gjithë faktorëve pjesëmarrës në procesin zgjedhor, madje edhe prindërve për nevojën e domosdoshme të mbrojtjes së fëmijëve dhe të njëjtit të mos i involvojnë në fushata politike dhe zgjedhore, me qëllim të respektimit të parimit të interesit më të mirë të fëmijës”.
Njëkohësisht, Avokati i Popullit rikujton se mediat kanë rol kyç në mbrojtjen e të drejtës së zgjedhjes. “Nevojitet informim objektiv, i balancuar dhe i qëndrueshëm, si dhe respektim i kodeksit të etikës së medias”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Avokatit të Popullit.
GYLTENE SINANI
