Maqedoni

Tri qendrat albanologjike përkujtojnë në Shkup mësuesit e parë të shqipes

20.11.2016 16:02

Tri qendrat albanologjike shqiptare nga Shkupi, Prishtina dhe Tirana organizuan konferencën shkencore: “75-vjetori i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore”...

Organizimi i kësaj konference shkencore përkon me tre momente të rëndësishmetë historisë së shqiptarëve të këtyre trevave: 108 vjetori i Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, 75- vjetori i hapjes së shkollave të para shqipe në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, si dhe 9-të vjetori i themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u tha në Konferencë, në hapjen e të cilës, morën pjesë edhe dy ministrat e Arsimit nga Maqedonia dhe Kosova, Pishtar Lutfiu dhe Arsim Bajrami. 
 
“Bashkëpunimi në mes të tri qendrave albanologjike, është mesazhi më i mirë i bashkëpunimit të qendrave tona, në drejtim të bashkërendimit të aktiviteteve edhe në sfera tjera me interes shkencor dhe publik. Ky model është me rëndësi të ndiqet edhe nga institucionet tjera, të cilat kanë nevojë për t’i bashkuar forcat dhe dijet për të sendërtuar kapacitetet tona nën një kauzë të përbashkët”, tha Pishtar Lutfiu, Minsitër i arsimit i Maqedonisë.
 
“Ne po bëjmë përpjekje edhe si minsitri edhe si qeveri, Republika e Shqipërisë, e Kosovës dhe Maqedonisë që të punojmë bashk në shum projekte në ndërtimin e një arsimi kombëtar, me vlera kombëtare, ku shkolla shqipe, edukimi dhe arsimimi do të duhet të jenë fusha e parë e integrimit kombëtarë dhe këto dy vite kemi bërë punë të mëdhaja sepse përpos forume albashkencë, kemi nënshkruar edhe disa marrveshje ndërshtetërore për të punuar bashk për të ndërtuar një standard unik”, tha Arsim Bajrami, Minsitër i arsimit i Kosovës.     
 
“Ky ishte një mision me përmasa kombëtare, që për nga rëndësia mund të krahasohet vetëm me misionarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptarëve të vëllezërve Frashëri e të rilindësve të tjerë të kohës. Për këtë arsye, duke gjykuar se ky përvjetor shënon edhe përvjetorin e nxënies së brumit shqiptar në këto ane, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si institucioni që kujdeset në mënyrë të veçantë për afirmimin e këtyre momenteve historike, është kujdesur që ky përvjetor të shënohet pikërisht në Shkupin e Vilajetit të Kosovës, aty shumë patriotë shqiptarë e kishin vënë cakun e ndërtimin të shqiptarisë së re”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së.
 
Në dy seancat e konferencës, mbi 15 studiues, paraqitën punimet e tyre shkencore, ku e vlerësuan lartë nismën e qeverisë shqiptare të viteve 1941-44, e cila që në fillim ndërmorri masa të shpejta për arsimimin e popullsisë shqiptare në Kosovë e në Maqedoni, për çka Ministri i atëhershëm i Arsimit, Ernest Koliqi, dërgoi mbi 200 mësues ambicioz të shqipes, të cilët mbollën farën e diturisë në këto troje.
 
GYLTENE SINANI