Zgjedhjet 2016, TVM2 gati për përcjellje profesionale të fushatës
TVM 2 është gati për të ndjekur dhe prezentuar para shikuesve, fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 dhjetorit...

Duke zbatuar rregullativën ligjore dhe misionin e servisit publik për paanshmëri, profesionalizëm dhe gjithë përfshirje, TVM 2 do të ndjekë fushatën zgjedhore në tre segmente kryesore.
Në edicionet qëndrore informative në orën 18:30 dhe 22:00, do të prezentohen aktivitetet e partive politike, takimet me qytetarët, pres konferencat apo mitingje në qytetet e vendit, sipas minutazhit të paraparë me ligj, pra 30 % e edicioneve informative është e paraparë për aktivitetet e partive parlamentare në pushtet, 30% për aktivitetet e partive parlamentare në opozitë, 10% për aktivitetet e partive jashtëparlamentare dhe 30% për ngjarjet e tjera të ditës nga vendi, rajoni dhe bota.
TVM 2 do të respektojë këtë minutazh ligjor duke ruajtur profesionalizimin dhe duke bërë prezentimin sa më të plotë të të gjitha platformave politike të partive pjesmarrëse në zgjedhje.
Segmenti i dytë po aq i rëndësishëm për prezentimin e platformave zgjedhore të partive, janë debatet zgjedhore.
TVM 2 ka planifikuar gjatë kësaj periudhe organizimin e 6 debateve zgjedhore, 3 me partitë parlamentare dhe 3 me partitë jashtëparlamentare, pjesmarrëse në zgjedhjet e 11 dhjetorit.
Debatet do të mbahen vetëm nëse në to marrin pjesë të gjitha partitë e ftuara. Mbetet në ndërgjegjien e partive politike t’i përgjigjen pozitivisht ftesave tona për debat.
Deri më sot, një subjekt politik jashtëparlamentar ka refuzuar pjesmarrjen në debat por TVM 2 shpreson që ky qëndrim të ndryshojë e t’i mund të organizojmë emisionet e planifikuara për t’u dhënë mundësi të gjithë votuesve potencialë, që përmes debateve konstruktive të dëgjojnë ofertat partiake e të vendosin se kujt do t’ia japin votën e tyre në 11 dhjetor.
TVM 2 , gjithashtu ka ndarë në skemën programore, hapësirën për emetim pa pagesë të platformave të partive politike, e cila është koncëptuar sipas minutazhit prej dy minutash për seicilën njësi zgjedhore në të cilat partitë kanë paraqitur listat e kandidatëve për deputetë.
Ftojmë partitë politike të shfrtyëzojnë këtë hapësirë programore për të prezentuar platformat apo kandidatët e tyre para elektoratit. Fushata zgjedhore fillon të hënën. TVM2 do të jetë pjesë e rëndësishme e prezentimit të kësaj fushate, për të përmbushur obligimin ligjor të servisit publik i cili është gjithnjë në shërbim të qytetarëve.
