Zgjedhjet 2016, BDI mbajti konventën zgjedhore

21.11.2016 14:39

Bashkimi Demokratik për Integrim e mbajti konventën zgjedhore në Shkup....

Bashkimi Demokratik për Integrim e mbajti konventën zgjedhore në Shkup, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit.

Vota për BDI-në është votë për vazhdimin e rrugës euroatlantike që ka si për qëllim kjo parti, si dhe për sigurimin e një të ardhme më të mirë për gjeneratat  reja të këtij vendi, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili u zotua se BDI do të angazhohet për mirëqenien sociale dhe ekonomike, barazinë e plotë të shqiptarëve të Maqedonisë në të gjitha fushat, si dhe përfundimin e proceseve të integrimit euroatlantik të vendit, pasi që, sipas liderit të integristëve, opsion i vetëm për shqiptarët është integrimi në BE dhe NATO, dhe të gjitha ideologjitë tjera e dërgojnë vendin mbrapsht.

Ahmeti, mes tjerash, tha se subjekti që ai drejton është rreshtuar me botën përparimtare dhe vazhdon të punojë sipas amanetit të bashkëveprimtarëve shqiptarë të të kaluarës së afërt, por edhe të atyre të Rilindjes, të cilët kombin shqiptar e parafytyronin në mesin e vendeve përparimtare të botës.

“Kemi punuar me të tëra energjitë tona që kemi pasur, që vendi ynë, kombi ynë të jetë i rreshtuar pranë kombeve të Europës Perëndimore, jemi përpara situatave ku duhet me më shumë forcë dhe guxim të veprojmë, të mendojmë si një trup, sepse rruga jonë euroatlantike nuk duhet penguar, nuk duhet ndalur, sepse është rrugë e cila siguron dhe forcon lirinë tonë të fituar, siguron dhe forcon ekonominë tonë të re, të filluar, sepse këtu është e ardhmja këtu, është qëllimi dhe pritjet e njerëzve të cilët ne na kanë mbështetur për gati 15 vite me radhë. Prandaj rruga jonë e vetme është rruga euroatlantike, e jo rrugë të tjera që përpiqen të trasojnë rrugë euroaziatike. Ne njëherë e përgjithmonë me ato rrugë jemi përshëndetur dhe mund vetëm e vetëm e më me forcë të vazhdojmë jetësimin e materializimin e këtyre qëllimeve të cilat i ka kombi shqiptar jo në Maqedoni, por si tërësi”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu u bëri apel subjekteve tjera politike që në vend të përpjekjeve për të shkatërruar BDI-së, të koncentrohen në krijimin e një platforme të mirëfilltë politike.

Optimist për fitore në zgjedhjet e dhjetorit u shpreh edhe shefi i shtabit zgjedhor, Bekim Neziri, i cili tha se shqiptarët e Maqedonisë janë të rreshtuar pas politikave të BDI-së dhe liderit të integristëve, Ali Ahmetit. Ai tha se BDI në këto zgjedhje sfidë do ta ketë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, prandaj u bëri apel aktivistëve që të kërkojnë votë për, siç tha, forcimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

“BDI prej sot do jetë fitues më datën 11 dhjetor. Të gjitha anketat që bëhen tregojnë qartë se BDI është fituese absolute e zgjedhjeve, bile edhe në anketat që bëhen nga oponentët. Sfida e shefit të shtabit qendror është të sfidojë rezultatin e vitit 2014 dhe 153 mijë votat e arritura. Që nga sot, 24 orë, deri më datën 11 dhjetor të zbresim dhe të vizitojmë çdo familje, të vizitojmë çdo fshat, të vizitojmë çdo qytezë, çdo qytet, të takohemi me çdo shtresë shoqërore dhe të përcjellim  një mesazh. Mesazhi është: s’ka forcë politike shqiptare e cila mund t’i udhëheq shqiptarët në RM, përpos BDI-së dhe Ali Ahmetit”,- tha shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri.

Në konventë u promovuan të gjithë kandidatët dhe fjalë rasti patën edhe bartësit e listave të të gjitha njësive zgjedhore, përfshirë këtu edhe kandidatin për deputet nga diaspora, Xhevdet Spahiun.

BDI në njësinë zgjedhore një bartës liste ka Artan Grubin, në njësinë numër dy bartës liste është Ejup Alimi, në të tretën Nafi Durmishi, në njësinë e katërt Artin Spahiu, në njësinë e pestë Agim Shaqiri dhe në njësinë e gjashtë zgjedhore si bartës liste për deputet është lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.  (Ersan Pajaziti, TVM2)