Zgjedhjet 2016, “Aleanca për shqiptarët” mbajti konventën zgjedhore
“Aleanca për shqiptarët” ka mbajtur mbrëmë konventën zgjedhore....

“Aleanca për shqiptarët” ka mbajtur mbrëmë konventën zgjedhore, ku ka prezantuar platformën dhe kandidatët për deputetë.
Tre parti politike garojnë në këtë Koalicion,si: UNITETI, Lëvizja për Reforma në PDSh dhe Rilindja Demokratike Kombëtare.
“Aleanca për shqiptarët” synon barazi të plotë për shqiptarët në Maqedoni si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë institucional, duke filluar që nga institucionet më të larta të shtetit.
Krerët e tre partive të bashkuara në këtë Aleancë thanë se shqiptarët nuk janë jetim dhe se ka kush kujdeset për të drejtat dhe mirëqenien e kombit shqiptar.
“Ne në asnjë moment nuk do të tërhiqemi nga shteti binacional, ose barabarësi e tërësishme mes shqiptareve dhe maqedonasve, ose më bashkë shqiptarët këtu do t’i bëj me federatë. Ne nuk do lejojmë që dikush tjetër ta bëjë zyrtare gjuhen, e cila ka zbrit nga Zoti vetë, gjuhën shqipe do ta bëjmë ne”,- deklaroi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.
“Njëri nga tre postet udhëheqëse të ju takojë shqiptarëve, kryetari i Republikës, kryeministri ose kryetari i Parlamentit... Zgjedhje të presidentin të shtetit në parlament me shumicë të dyfishtë, riorganizimi i komunitetit për marrëdhënie ndëretnike, planifikimi i drejt i buxhetit të shtetit për qeverisje lokale dyshkallëshe në përputhje me hartën evropiane, ndryshime në Gjykatën Kushtetuese... Ne kërkojmë funksionimin e shtetit ligjor njësoj për të gjithë”,- theksoi kryetari i Partisë UNITETI, Gëzim Ostreni.
“Shqiptarët nuk kanë nevojë që një parti maqedonase të kujdeset për shqiptarët, por gjithmonë ka pasur dhe sërish do të ketë shqiptarë që kujdesen për popullin e vet. Është “Aleanca për shqiptarët” që kujdeset për të mirën e popullit shqiptar dhe nuk kemi nevojë për asnjë parti politike maqedonase”,- tha kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.
Nga “Aleanca për shqiptarët” u zotuan për inicimin e ndryshimeve kushtetuese në të mirë të shqiptarëve, ndarje të buxhetit me prerje lokale ku komunat vetë do të rregullojnë buxhetin e tyre dhe për shtet të së drejtës, ku Prokuroria Speciale do të rregullohet me Kushtetutë dhe të vazhdojë me punë të suksesshme për nxjerrjen para gjyqësisë të të gjithë atyre që kanë shkelur ligjet.
Lufta ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar duhet, duke përfshirë dhe nivelin komunal, duhet të vazhdojë deri në fund, thanë nga “Aleanca për shqiptarët”, duke u bërë thirrje shqiptarëve që në 11 dhjetor fuqishëm të votojnë për kandidatët e tyre për të ndryshuar qeverinë aktuale. (Gazmend Kurtishik, TVM2)
