Maqedoni
UT mbajti akademi solemne kushtuar Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe
21.11.2016 15:25
Në Universitetin e Tetovës me një akademi solemne është shënuar 108 vjetori i Kongresit të Manastirit, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe...

Me këtë rast rektori i UT-së ka theksuar se Kongresi i Manastirit është momenti më i madh kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen.
“Kongresi i Alfabetit u përgatit si rezultat i rrethanave historike, në të cilën çështje e ABC-ja u bë pjesë e lëvizjes së madhe për mësimin e ndërgjegjes kombëtare. Kongresi i Manastirit është momenti më i madh kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen, ai u organizuar në rrethana tepër të vështira shoqërore politike. Rëndësia e Kongresit të Manastirit është e shumëanshme, në rrathë të parë për kulturën shqiptare, për lobimin shkencor dhe letrar të gjuhës, mbi të gjitha për zhvillimin e arsimit kombëtar. Që atëherë e deri më sot gjuha shqipe dhe alfabeti i saj kaloi një rrugë me shumë sfida, por e suksesshme që të gjithë ne na bëri krenarë”,- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
Ndërsa për datën e rëndësishme dhe historike të kongresit të Manastirit foli profesori, Halim Poreku, i cili theksoi se para kongresit të Manastirit kishte gjithsej 15 shkolla, të cilat objektivë kryesore e kishin çështjen kombëtare dhe hapjen e më shumë shkollave në të gjitha viset shqiptare.
“Në prag të Kongresit të Manastirit, në trojet shqiptare funksionojnë vetëm 15 shkolla, prandaj dhe më tej objektivi kryesor i Lëvizjes kombëtare shqiptare ishte hapja e shkollave shqipe. Duhet theksuar se shkollat shqipe të asaj kohe shquheshin edhe për karakterin e tyre kombëtar, shqiptar e laik. Kongresi punimet i filloi më 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir. Në kongres morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë”,- tha profesori, Halim Poreku.
Në vigjilje të kësaj feste në mbarë institucionet arsimore në Maqedoninë janë duke u zhvilluar manifestime të ndryshme për nderë të Kongresit të Manastirit.
VISAR SADIKI
