Kongresi i Alfabetit, u mbajtën akademi, tryeza shkencore dhe promovime librash

21.11.2016 16:28

Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Alfabetit....

Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Alfabetit, në një tryezë shkencore në Shkup u diskutuan sfidat e arsimit shqip.

“Aftësia e një shoqërie për prodhim selektim, përshtatje dhe shfrytëzim të diturive tregohet si faktor kritik për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.

“Është detyra e politikbërësve  dhe në përgjithësi e akademikëve që në konsultim me nevojat e të rinjve të bisedohet mbi reformat e nevojshme për të zhvilluar një rini të përgatitur për sfidat e së ardhmes”,- u shpreh rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e hapjes së universiteteve të reja, por porositën politikën t’i mbajë duart larg arsimit.

“Themelimi i një universiteti ishte i domosdoshëm për të rritur standardet arsimore dhe për të përmirësuar statusin e shqiptarëve  në Maqedoni”,- u shpreh profesori, Robert Pichler.

“Arsimi ka nevojë që t’i instalojë disa reforma, të vlerësojë dhe t’i nisë përmirësimet. Politika e shfrytëzon edhe për arsyet e veta dhe duhet të ketë një moment për këtë, një stop për gjithë këto reforma”,- tha profesori universitar, Robert Gjedija.

“Ata që duhen të vendosin, themelojnë  universitete, duhet të kenë kujdes, të largojnë gishtërinjtë dhe mos të përzihen aty”,- u shpreh profesori universitar, Zeqirja Neziri.

Në prag të Ditës së Alfabetit, një akademi solemne organizoi edhe Universiteti i Tetovës, në të cilën u theksua rruga e rilindësve për një gjuhë dhe një komb, ndërsa ITShKShM dhe Instituti i Studimeve Protestante dhe Shqiptare botoi tre vepra të rëndësishme: “Gjerasimi: predikues, iluminist dhe rilindës” nga  Xhon Kaundrud, “Pengu i kaçakëve” i Gjersaim Qiriazit dhe “Jeta ime” nga Sevasti Qiriazi–Dako. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)