Maqedoni

Fushata zgjedhore filloi, monitorim edhe nga KE dhe Prokuroria Publike

21.11.2016 16:52

Pjesëmarrësit në zgjedhje edhe zyrtarisht nga mesnata kanë filluar fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 dhjetor...

“Në zgjedhje do të marrin pjesë 11 subjekte politike, prej të cilave 6 parti politike dhe 5 koalicione, ndërsa të drejtë vote do të kenë gjithsej 1.784.524 qytetarë. Nga diaspora për të votuar janë paraqitur  20.591 shtetas të Maqedonisë”,- njoftoi KShZ.
 
Deri më 9 dhjetor në mesnatë, kur edhe duhet të mbyllet fushata, partitë politike do të kenë mundësinë që të prezantojnë platformat e tyre politike para elektoratit.
 
Fushatën do ta ndjekë edhe një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Delegacioni do të qëndrojë në Shkup, më 21 dhe 22 nëntor, që të bëjë vlerësimin e fushatës parazgjedhore dhe klimës politike para zgjedhjeve, ndërsa më 11 dhjetor Asambleja Parlamentare e KE-së zgjedhjet do t’i monitorojë me delegacion prej 25 anëtarëve dhe më pas do të përpilojë raport, i cili do të prezantohet në hapjen e sesionit parlamentar në janar të viti 2017.
 
Edhe Prokuroria Publike e Maqedonisë do të ndjekë ecurinë e zgjedhjeve dhe rregullsinë e procesit të votimit, për çka është krijuar një komision i posaçëm për ndjekjen e zgjedhjeve.
 
Prokuroria do t’i ndjekë kontributet në media, ndërsa qytetarët dhe OJQ-të do të mund të raportojnë çdo dyshim për vepër të kryer penale që ka të bëjë me zgjedhjet.
 
NAIM RAMADANI