Maqedoni

Zgjedhjet 2016, VMRO-DPMNE prezantoi platformën

21.11.2016 17:14

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka prezantuar platformën e partisë së tij për zgjedhjet e dhjetorit...

Sipas tij, VMRO-DPMNE garon me projekte dhe afate konkrete për realizimin e tyre në katër vitet e ardhshme.
 
“Pjesë e programit janë projektet për paga dhe pensione më të larta, subvencione bujqësore, autostrada, hekurudha dhe kapacitete të reja energjetike, mbështetje më e madhe financiare për kompanitë, si dhe shumë përfitime për të filluar biznese, zvogëlimi i papunësisë, zona zhvillimore rurale, në të cilat investuesit potencialë për çdo fabrikë të hapur do të marrin stimulim financiar nga shteti dhe lirime nga tatimet, rritje e asistencës sociale dhe investime në shëndetësi dhe arsim”.
 
Ai njëkohësisht ka paralajmëruar hapjen e katër zonave të lira zhvillimore industriale, në Kumanovë, Likovë, Mavrovë-Rostushë dhe Gostivar.
 
“Me projektin -IT-zona do të tërheqim kompani të huaja në fushën e teknologjisë informatike, zvogëlimin e papunësisë, do të bëhet rritje e ekonomisë së Maqedonisë prej 3 deri në 4,5 për qind, papunësia deri në vitin 2020 të bjerë pasi VMRO-DPMNE  planifikon hapjen e 70.000 vendeve të reja të punës”, deklaroi Gruevski gjatë prezantimit të platformës së partisë që drejton.
 
“Me këtë program,- shton më tej lideri i VMRODPMNE-së,- do të ketë rritje të pagës minimale në 14.000 denarë deri në vitin 2020, pa përjashtime nga puna, do të ketë investime në hekurudhë, gjegjësisht furnizim të hekurudhave të Maqedonisë me pesë trena të rinj, 70 rrjete kanalizimi dhe ujësjellësi, 580 banesa për personat e kategorive të rrezikuara sociale”,- premtoi Gruevski.
 
Lideri i VMRO-DPMNE-së gjatë prezantimit të platformës ka ripotencuar ndërkohë edhe qëndrimet e partisë që ai drejton për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe ka akuzuar shërbimet e huaja dhe opozitën në vend për krizën politike që tashmë, sipas tij, dy vjet e gjysmë po i mban peng qytetarët e Maqedonisë.
 
“Ajo që dikush e shikonte me skepticizëm dhe dyshim, mendonte që është defokusim politik, tani kjo është e qartë për të gjithë. Një numër i madh i njerëzve filluan të dyshojnë për punën tonë, sepse dikush njollosi personalitetet tona, por tani e kanë të qartë se na paraqitën ashtu si nuk jemi. Qëllimi i krizës në të cilën na futi opozita para dy vitesh me ndihmën e strukturave të ndryshme kriminale nga vendi dhe jashtë,  është destabilizimi i vendit për gjakderdhje të maqedonasve, qytetarëve, si dhe ridefinimin e shtetit, duke e vënë dygjuhësinë në të gjithë territorin, ndryshimin e emrin etj. Deklarata e Zaevit për modelin zviceran për Maqedoninë, duke e zyrtarizuar gjuhën shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë, vetëm e vërteton atë që e kam thënë më herët. Qytetarët e Maqedonisë asnjëherë nuk do të votojnë propozimet e Zoran Zaevit për ta ndarë Maqedoninë që të futet në krizë më të thellë etnike”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Grueski.
 
Lideri i VMRO-DMPNE-së është i sigurt se qytetarët e Maqedonisë do të votojnë për përparimin dhe prosperitetin e vendit, platformë që, sipas tij, e ofron vetëm VMRO-DPMNE. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU