Maqedoni

Zgjedhjet 2016, LSDM prezantoi platformën para të rinjve

21.11.2016 17:39

LSDM ka filluar fushatën zgjedhore me takime me të rinjtë...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, potencoi me këtë rast rëndësinë e rinisë për partinë që drejton. Ai para të rinjve tha se ndjehet i nderuar që është ftuar në një takim me ta në cilësinë e kryetarit të partisë më të madhe të koalicionit, i cili do të jetë fitimtarë në këto zgjedhje.
 
Një temë e rëndësishme e zgjedhjeve, sipas Zaevit, do të jenë pikërisht të rinjtë dhe perspektivat e tyre.
 
“Ne kemi si qëllim t’i mbajmë këtu të rinjtë dhe të kthejmë në Maqedoni pjesën më të madhe të atyre që janë larguar”,- tha Zaev.
 
Ai ka prezantuar para tyre edhe platformën e LSDM-së, e cila, sipas tij, është drejtpërdrejtë e lidhur me të rinjtë në çdo segment të saj, pasi në platformë bëhet fjalë për të ardhmen që ju takon pikërisht të rinjve. 
 
“Ky është programi ynë  zgjedhor, e kemi quajtur “Plan për jetë në Maqedoni” me 100 mijë kopje dhe çdo faqe e saj ka pjesë për të rinjtë, të gjitha faqet madje edhe kur flasim për pensionistët, për gjeneratat më të vjetra, flasim se si t’i shpëtojmë nëpërmjet ndihmës së të rinjve, që pensioni të mbetet te ata, gjithçka i është kushtuar të rinjve. Pas 11 dhjetorit do të kemi inkuadrim të drejtpërdrejtë të të rinjve në politikat tona. Kjo përbërje parlamentare do të ketë më së paku shtatë të rinj, grup për herë të parë, të cilët do të jenë direkt të kyçur në shtëpinë më të fortë shoqërore, ose shtëpia më e rëndësishme e kësaj shoqërie demokratike dhe ajo është Parlamenti i Maqedonisë, ku do të luftojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë,  nëpërmjet vendimeve ligjore, që t’i instalojnë të gjitha iniciativat e tyre për të krijuar ambient në vendin tonë, që inkuadrimi direkt i të rinjve të vërehet”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaev ka përmendur rininë si avangardë e të gjitha proceseve në periudhën e kaluar. Sipas tij, rinia është pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në të gjithë trupat e LSDM-së, që nga ata më të ulëtit e deri në kryesi, po ashtu edhe në të gjithë partnerët e koalicionit.
 
Ai falënderoi rininë që u bashkëngjit në “Revolucionin e larmë”, duke përmendur edhe plenumet studentore, si një zë shumë i rëndësishëm për t’i thënë “Stop” qeverisë aktuale.
 
“Erdhi koha që të rinjtë të jenë krijues të së ardhmes së përbashkët. Pikërisht për shkak të së kaluarës, të rinjtë meritojnë vëmendjen më të sinqertë në programet dhe proceset të cilat i kemi përpara”,- tha Zaev.
 
Lideri i LSDM-së ka premtuar se në ekzekutivin e ardhshëm të drejtuar nga LSDM, në pozicione serioze do të inkuadrohen kuadro të rinj, pasi ata e meritojnë të jenë pjesë e krijimit të ardhmërisë më të mirë jo vetëm për të rinjtë, por për të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
 
“Që në katër muajt e parë pas mbarimit të zgjedhjeve, të rinjve do t’u ofrohen një nga tre opsionet dhe ato janë: vend pune në mënyrë direkte, mundësi për edukim praktik, trajnim për të rinjtë, arsimim plotësues për ata të cilët dëshirojnë të vazhdojnë në studime posdiplomike apo doktoraturë dhe gjithçka që do të thotë perfeksionim i arsimimit të tyre dhe kjo do të thotë që çdo të riu t’i ofrohet perspektivë dhe që çdo i ri të jetë i sigurt se perspektiva e tij varet nga vetë ai. Zaev tha se me masat që propozohen nga LSDM, të rinjtë do të inkurajohen që të mos e shohin ardhmërinë e tyre vetëm në administratën publike, por të bëhen zot të vetvetes me ndihmesë të drejtpërdrejtë nga shteti. LSDM planifikon në platformën e saj 10 mijë euro grand për çdo të ri, i cili do të marrë guxim të hapë biznes personal. Duke siguruar një rrogë për vetveten dhe ne duke shpresuar se do të punësojmë në të ardhmen 1,2 apo 3 apo 10 persona të tjerë. Nuk bëhet fjalë për linja kreditore, por për mjete të pakthyeshme, grande direkt nga buxheti i Maqedonisë”,- u ka premtuar lideri i LSDM-së, Zaev, të rinjve në takimin e zhvilluar me ta. 
 
BESIM ABDULLAI