Maqedoni
Kontributi për Pavarësinë e Kosovës, Hashim Thaçi dekoroi 118 personalitete nga Maqedonia
21.11.2016 18:31
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar 118 personalitete të shquar nga Maqedonia për kontributin e dhënë për çlirimin e shtetit të Kosovës...

Në mesin e personaliteteve që kanë marrë dekoratë janë edhe liderët e dy parive më të mëdha politike shqiptare, Ali Ahmeti - kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, dhe Menduh Thaçi - kryetar i Partisë Shqiptare Demokratike.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se misionet e përbashkëta për Kosovën akoma nuk kanë mbaruar, duhet punuar që ky shtet, bashkë me Maqedoninë, së shpejti të bëhen pjesë e BE-së dhe NATO-s.
“Unë jam krenar dhe i lumtur që me këta bashkëveprimtarë, bashkorganizatorë që kemi punuar sot të jenë në krye të shtetit të Kosovës, në krye të shtetit që aq shumë është sakrifikuar dhe aq shumë është luftuar, por ja që brezi ynë ishte ai që të gjitha ato qëllime, të gjitha ato ideale i jetësoi. Shqiptarët sot më mirë se kurrë. Kosova shtet i pavarur me institucione. I dashur Hashim, misioni ynë vazhdon akoma, s’ka mbaruar, Kosova në NATO duhet të jetë, Kosova në BE duhet të jetë, siç duhet të jetë edhe shteti im ku jetoj unë, në NATO dhe në BE”,- deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, pasi pranoi dekoratën, tha se shqiptarët e Maqedonisë nuk arritën që t’i përmbushin objektivat, pasi që pushteti i vërtetë duhet të ndahet vërtet mes shqiptarëve dhe maqedonasve, e jo shqiptarët të marrim copëza të pushtetit të maqedonasve.
“Kjo është, s’kam pse ta fsheh, nuk është turp të tregoj drejt, është një dekoratë që më bën shumë emocione. Por, qëllimisht nuk e përmenda Partinë Demokratike Shqiptare, se kjo s’ka të bëjë me çështjen e partisë. Ju premtoj zoti president se këtë dekoratë kur e kam ndërmend ta përdori për politikë ditore, unë dua bashkë me ju të ndaj një konstatim se ne shqiptarët e Maqedonisë nuk arritëm që t’i përmbushim objektivat tona, besoj se detyra e radhës në situatën elektorale që jemi, po s’arritëm pas kësaj të marrim pushtetin e vërtetë që na takon ne, do të jetë komike, qesharake, dhe aspak e vlefshme. Ne nuk guxojmë më të pajtohemi që pjesë, copëza të pushtetit të maqedonasve t’i kenë shqiptarët, pushteti i vërtetë duhet të ndahet vërtetë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Mi lejoni dhe disa fjalë për figurën e Hashim Thaçit. Është e qartë lufta dhe është e qartë gjithçka në çlirimin e Kosovës, por nuk mund të rri pa thënë se vlera e vërtetë e Hashim Thaçit është se ai diti që shqiptarët në Kosovë mos t’i lejojë t’i ndajë në ata që kanë luftuar dhe nuk kanë luftuar. Hashim Thaçi është meritori që ndau pushtetin me ata që nuk kanë luftuar dhe mua nuk më ngelet asgjë vetëm të them se kjo do të ishte mënyra e mirë, modeli shumë i mirë për të gjithë liderët të cilët veprojnë në tokat shqiptare, kjo mënyrë e qasjes, kjo mënyrë e moslejimit të eskalimit të marrëveshjeve politike dhe konflikteve mes nesh do të jetë besoj udhërrëfyes për më tutje”,- theksoi lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Hashim Thaçi porositi Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin që të bëhen bashkë nëse duan të jenë më të fortë.
“Unë veç një do ta them, se nëse jeni të bashkuar siç jeni sot, do të jeni shumë më të fortë dhe do të ndikoni shumë më shumë”,- u shpreh presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Në mesin e personalitete që kanë marrë dekoratë janë edhe personalitete të shquar nga jeta e kulturës, arsimit, shkencës, si dhe afaristë të njohur të cilët kanë dhënë kontribut në formimin e shtetit të pavarur, Kosovës.
“Këtë mirënjohje e kam pikërisht siç e tha edhe Thaçi, si një mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuuar për Kosovën, pse jo dhe Kosova për ne shqiptarët këtu në Maqedoni”,- u shpreh gazetari, Selajdin Xhezairi.
“Është një ndjenjë e veçantë, emocion që do ta mbaj në mend jo vetëm unë, por të gjithë kolegët të dekoruar edhe për krijimtari artistike, por edhe për krijimtari pedagogjike”,- u shpreh violinistja, Sihana Badivuku.
Me rastin e këtij manifestimi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili personalisht ka ndarë dekoratë, tha se shqiptarët 108 vite më parë, me rastin e Kongresit të Alfabetit, dëshmuan orientimin e tyre pro evropian, gjë që vazhdojnë të demonstrojnë edhe më tej këtë orientim të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon.
SANIJE DURAKU
