Maqedoni

Reshje të shumta, por me intensitet të qëndrueshëm

29.04.2014 18:11

Reshjet e ditëve të fundit nuk kanë sjellë dëme në sektorin agrar, thonë nga Grupacioni për Bujqësi dhe Zhvillim Rural...

Reshjet e ditëve të fundit nuk kanë sjellë dëme në sektorin agrar, thonë nga Grupacioni për Bujqësi dhe Zhvillim Rural pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
 
Sipas agronomit Arben Halili, dëmet do të ishin të mëdha në rast se do të shtohej intensiteti i shirave.
 
“Por derisa janë reshje me një intensitet të qëndrueshëm, nuk presim që të ketë dëme të drejtpërdrejta në sektorin agrar, përveç se në sektorin e bletarisë, sepse siç dihet pikërisht në fazën e lulëzimit të bimëve, në fazën e absorbimit të polenit nga ana e bletëve, rezulton që këta të privohen të themi nga kjo mundësi, me ç’rast edhe rendimentet, respektivisht mjalti, do të jetë në sasi më të vogla në vit”, u shpreh agronomi Arben Halili.
 
Sipas tij, gjendja do të ndryshonte nëse do të kishte vërshime.  Përveç reshjeve të shiut të disa javëve, në disa vende ka pasur edhe të reshura të borës.
 
“Dëme s’ka pasur prej borës, por edhe drithërat që ishin nuk kanë pasur ndonjë problem të madh të drejtpërdrejtë nga reshjet e borës, përveç se dëmi i vetëm është te drunjtë që kanë pasur edhe gjethe, pikërisht për shkak të shtresimit të borës mbi gjethe, kanë rezultuar që të thyhen disa degë, por jo edhe ndonjë dëm më të madh”, shtoi më tej Halili.
 
Maqedonia, si dhe të gjitha vendet tjera të rajonit, çdo ditë e më tepër po ndeshen me sfidën e ballafaqimit të problemeve, të cilat po ndodhin si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe sigurisht që në këtë drejtim do të duhet të marrin masa preventive. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI