Aksident në Kinë, përplasje zinxhir makinash, 17 të vdekur
17 persona humbën jetën në autostradën që lidh Pekinin me Kunimung, aksident në të cilin u përfshinë 56 automjete...

37 persona të tjerë mbetën të plagosur. Shkas për aksidentin ishte mjegulla dhe rruga e rrëshqitshme.
Aksidenti ndodhi në daljen e një tuneli dhe kjo bëri që të përfshiheshin më shumë makina.
Disa drejtues mjetesh që i mbijetuan aksidentit treguan se mjegulla pas daljes nga tuneli ishte tepër e dendur dhe kur më në fund vinin re rrugën e bllokuar nga makinat e përplasura më parë, ishte tepër vonë për të frenuar.
Në orët para të aksidentit tragjik, në zonë kishte rënë borë dhe shi, që rezultoi edhe në ngrirjen e disa pjesëve të rrugës. Zjarrfikësit luftuan me flakët në makinat e para që ishin përplasur.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zyrtarizuar shkakun e aksidentit tragjik.
