Zgjedhjet 2016, PPD mbajti konventën zgjedhore

22.11.2016 13:23

Partia për Prosperitet Demokratik në konventën e mbajtur mbrëmë në Tetovë...

Partia për Prosperitet Demokratik në konventën e mbajtur mbrëmë në Tetovë  para simpatizantëve të saj,  ka prezantuar programin dhe  kandidatët për deputetë në njësinë e gjashtë zgjedhore, e cila është njësia e vetme zgjedhore në të cilën PPD garon.

Kryetari i kësaj parti dhe njëherit bartësi i listës në njësinë e gjashtë, Abdylhadi Vejseli, është shprehur se PPD-ja po rikthehet për t’i përfunduar punët e lëna përgjysmë. Ai ka kërkuar votën për PPD-në, sepse, sipas tij, me fitoren e PPD-së shqiptarëve u kthehet barazia.

“Ne na presin shumë punë, atje ku i kemi lënë ne punët në gjysmë të tjerët nuk mundën t’i vazhdojnë.  Prandaj kemi ardhur dhe rikthehemi prapë që të vazhdojmë punët që i kemi lënë në gjysmë, për shkak se ato duhen të kryhen, ato duhen të mbarohen.  Punët  që duhen të kryhen janë punë që qytetarin shqiptar do ta bëjnë të barabartë me të gjitha sferat e jetës, qoftë në atë politike, shëndetësi, kulturë, në arsim, por ajo që është më e rëndësishme, në financa. Të gjithë kur dalin para shqiptarëve përmendin se çfarë duhet të bëjnë, por harrojnë që njëherë duhet të japin llogari çfarë bënë në vitet e kaluara. PPD edhe kur nuk ka qenë në qeveri po vetëm në parlament, para se të kërkojë nga qytetarët mandatin e ardhshëm, ka dhënë llogari çfarë kemi bërë në mandatin e kaluar. Tani këtë nuk e bën askush. Këta të moshës më të vjetër e panë PPD-në dhe mirë që dolën të tjerët  i pamë dhe të tjerët dhe sot mund të themi me plot krenari, ballëlartë dhe me dinjitet, se PPD është forca që do të sjellë barazinë e shqiptarëve në Maqedoni në të gjitha sferat e jetës”,- deklaroi kryetari i PPD-së, Abdylhadi Vejseli.

Kreu i PPD-së, Abdylhadi Vejseli, ka theksuar se pas fitores, PPD do të amnistojë të gjithë të burgosurit shqiptarë që vuajnë dënime pa të drejtë, duke filluar nga “Sopoti”, “Monstra”, “Lagja e trimave”. 

Ai gjithashtu ka potencuar se PPD ka qenë dhe do të jetë për bashkimin ndërshqiptar dhe shqiptarët duhet të bëhen bashkë për interesin shqiptar njësoj si VMRO dhe LSDM, që kur është në pyetje interesi i maqedonasve, bëhen bashkë Zaevi e Gruevski. Ai e ka quajtur  të dëmshme për shqiptarët Marrëveshjen  e  Përzhinës që, sipas tij, përmbushi vetëm kërkesat e dy partive maqedonase.

Shqiptarët nga kjo marrëveshje, sipas tij, humbën 170 mijë shqiptarë që punojnë jashtë e që u fshinë nga listat zgjedhore, mes tyre 39 mijë votues në njësinë e gjashtë zgjedhore dhe për këtë e kanë fajin partitë shqiptare nënshkruese të kësaj marrëveshjeje. Vejseli tha se PPD ka dëshmuar gjithmonë se ka kapacitet, njohuri dhe shkathtësinë politike, por ajo që është më e guximshme, sipas tij, për ta bërë shqiptarin të barabartë, ka guximin t’i bjerë me grusht tavolinës kur është nevoja dhe këtë e ka dëshmuar në të kaluarën.

Vejseli tha se po të mos ishte PPD, Millosheviqi  me ushtrinë e tij do të ishin në Maqedoni, dhe se PPD i ka dhënë përkrahje luftës së lavdishme të 2001, si në mal, si në tryezën e bisedimeve, madje ai tha se edhe pse dikush mund ta mohojë, por PPD ka shkatërruar veten për shqiptarinë.

Kandidati për deputet në radhët e PPD-së, Muhamed Halili, ka theksuar se PPD-ja është kthyer më e fuqishme se çdo herë, jo për të treguar se çka kanë bërë ato në kohën kur kanë qenë në pushtet, por është rikthyer për t’i shpëtuar shqiptarët dhe kjo do të dëshmohet nga shqiptarët më 11 dhjetor. (Visar Sadiki, TVM2)