Maqedoni

Ndryshimet klimatike me ndikim për shëndetin

29.04.2014 18:16

Pranvera këtë vit erdhi pak më herët me ato sëmundjet karakteristike, por me temperatura jo normale për atë kohë...

Pranvera këtë vit erdhi pak më herët me ato sëmundjet karakteristike, por me temperatura jo normale për atë kohë.
 
Kishim një kohë të bukur dhe të thatë, por papritmas ndodhën ndryshime të mëdha klimatike, temperaturat e  atmosferës pësuan ulje nga 10 deri në 15 gradë.
 
E mira e këtij ndryshimi është që reshjet atmosferike bënë një pastrim natyral të polenit, por nga ana tjetër sollën edhe infeksione në sistemin e frymëmarrjes.
 
“Kështu që të reshurat atmosferike bënë një fill natyral të polenozave të sëmundjeve karakteristike të pranverës, që janë rinitet ose të gjitha sëmundjet prej polenit, që janë të manifestuara me probleme të lëkurës ose të sistemit të frymëmarrjes të sipërm, por jo rrallë herë edhe me konjunktivit  alergjik. Përndryshe, kjo lagështi e kohës dhe ndryshimi i temperaturës, i sjell problemet e veta në aspektin shëndetësor. Kemi infeksione, të cilat nuk janë shumë tipike për sezonin, por janë infeksione të organeve të sipërme të kanaleve të frymëmarrjes”, tha mjeku Sedat Lumani.
 
Edhe qytetarët e pranojnë se ky ndryshim klimatik u ndikon në shëndet.   
 
“Unë për vete pak a shumë njëjtë edhe shoqja ime edhe unë jemi të këputur, nuk jemi të freskët, ia lëmë fajin kohës dhe nuk na shkon në mendje të drejtohemi te mjeku, them nesër ndoshta më mirë do të jemi”, u shpreh një qytetarë.
 
“Më ndikon dhe mund të them shumë, jam i operuar dy herë nga zemra dhe e kam të thyer këmbën dhe ndikon mjaft koha, për atë u drejtova te mjeku amë dhe mora terapinë e nevojshme, më shumë rri në shtëpi, u iki këtyre ndryshimeve”, u shpreh një qytetarë tjetër.
 
Të gjithë të sëmurët kronik po ashtu kanë probleme në shëndetin e tyre, sidomos ata që nuk e marrin terapinë e rregullt ose bëjnë atak prej ndonjë virusi, thotë Lumani. Ai rekomandon që për çdo ndryshim shëndetësor të konsultohemi me mjekun amë. 
 
RINA TURKESHI-SAITI